Kocijançiç: Nuk ka ndryshim në regjimin e vizave për Shqipërinë

Shqipëria

Kocijançiç: Nuk ka ndryshim në regjimin e vizave për Shqipërinë

Më: 19 prill 2019 Në ora: 19:59
Foto ilustruese

Pas vendimit të Parlamentit holandez për të kërkuar një pezullim të regjimit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë, nuk ka pasur asnjë njoftim të dërguar në Komisionin Evropian që t’i kërkohet të ndërmarrë një vendim të tillë, konfirmon zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç për “European Western Balkans” (EWB).

E pyetur nga EWB-ja nëse ka pasur ndonjë ndryshim situate që prej votimit të martën në Holandë, Kocijançiç theksoi se “pozicioni i Komisionit i shprehur të mërkurën nga zëdhënësja, Natasha Bertaud mbetet i njëjti”.

“Komisioni është në dijeni të votimit dje të mocionit në Parlamentin holandez, por ka një procedurë specifike që është në fuqi mbi pezullimin e mekanizmit të vizave dhe, deri tani, nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtare që të kërkojë aktivizimin e mekanizmit të vizave për ndonjë vend që përfiton nga udhëtimi i lirë pa viza”, theksoi Bertaud më 17 prill, njofton ATSH.

Ajo shtoi gjithashtu se, “nëse Komisioni do të marrë një njoftim të tillë, ai do e analizojë me kujdes, do e vlerësojë dhe do të vendosë nëse ky veprim nevojitet, duke theksuar rolin kryesor që ka ky organizëm në këtë proces”.

Të martën, qeveria holandeze nxori një njoftim zyrtar në lidhje me vendimin e Parlamentit, duke garantuar se për momentin regjimi aktual mbi vizat do të qëndrojë i pandryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat