Policia merr kontrollin në Rinas, një oficer vendoset në sallën e monitorimit operacional

Shqipëria

Policia merr kontrollin në Rinas, një oficer vendoset në sallën e monitorimit operacional

Më: 20 prill 2019 Në ora: 16:31
Foto

Policia e Shtetit ka fituar akses në sallën e monitorimit të kamerave të sigurisë të aeroportit të Rinasit pas grabitjes së miliona eurove më 9 prill të këtij viti. Pas ngjarjes së rëndë, si pjesë e planit emergjent të sigurisë është vendosja e një efektivi në sallën që më parë kontrollohet nga koncesionari për të shmangur vonesat në njoftimin e ço rasti të cënimit të sigurisë. Një masë tjetër që pritet të merret është edhe shtimi i personelit të komisariatit të Rinasit.  

Komisariati i policisë së Rinasit ka fituar akses në sallën operacionale të sigurisë së aeroportit pas vendosjes në zbatim të planit emergjent të sigurisë si pasojë e grabitjes së miliona eurove më 9 prill. 

Burime nga policia e shtetit thanë se në ndryshim nga procedurat e mëparshme kur policia kërkonte nga koncesionari pamje të caktuara të kamerave të sigurisë, tashmë një oficer është vendosur gjatë gjithë kohës në sallën e monitorimit.

Efektivi i komisariatit të Rinasit ndjek në kohë reale situatën në aeroport dhe për çdo anomali njofton menjëherë eprorët e tij duke shmangur kështu vonesat në komunikim.

Kjo duket të jetë një nga masat emergjente pas vendosjes së grupeve të policisë në pjesën e brendshme të pistës ndërkohë që një plan afatgjatë është rritja e numrit të efektivave që do të jenë pjesë e komisariatit të aeroportit. Ministri i Brendshëm ka akuzuar që vjedhja e datës 9 prill është njoftuar 5 minuta e 20 sekonda me vonesë nga kocesionari.

Dhjetë ditë pas ngjarjes ende nuk ka asnjë person të identifikuar, por vetëm persona të dyshuar, të përfshirë në grabitje të tjera të ngjashme me atë të 9 prillit. Për të mbërritur tek grabitësit, hetuesit kanë analizuar disa grupe kriminale që kanë qenë aktive në vepra të ngjashme penale që nga viti 2016.

Me gjithë dyshimet e forta, hetuesit duhet të mbledhin prova për personat e përfshirë në grabitje, ndërsa është marrë në konsideratë dhe faktin se ngjarja ka ndodhur 15 ditë pas sekuestrimit të pasurive të Admir Muratajt dhe familjarëve të tij.

Lidhur me këtë grabitje ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi në parlament se autorët do të vihen përpara drejtësisë, por të premten policia kërkoi ndihmën e qytetarëve për ti identifikuar. Siguria e aeroportit ishte cënuar disa herë radhazi nga viti 2016 e në vazhdim por koncesionari nuk kishte marrë masat shtesë të kërkuara nga policia dhe aviacioni civil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat