Pas vdekjes së 25-vjeçares një orë pas lindjes ka reaguar Qendra spitalore e Elbasanit. Në një deklaratë për mediat, spitali thotë se e reja pësoi komplikacion, ndërsa mjekët dhanë shërbimin maksimal.
Megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes së nënës së re nnë Elbasan. Por spitali nuk tregon orën e vdekjes së gruas së re.
“Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e 25-vjeçares R. D., Spitali rajonal Elbasan sqaron opinionin publik në lidhje me humbjen e jetës së 25-vjeçares” si vijon: Pacientja R. D. u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite.
Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.
Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë. Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën. Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”, deklaron spitali.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në spitalin e Elbasanit, ndërkohë familjarët e vajzës kanë ngritur akuza ndaj stafit mjekësore, duke u shprehur se mjeku kardiolog është vonuar një orë dhe nuk ka mundur ta shpëtojë.
25-vjeçarja nga Katundi i Ri ndërroi jetë rreth 1 orë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë në maternitetin e këtij qyteti, fatmirësisht foshnja gëzon shëndet të plotë.