U arrestua për grabitjen në Rinas, Klement Çala i dënuar me 5 vite, si i shpëtoi drejtësisë

Shqipëria

U arrestua për grabitjen në Rinas, Klement Çala i dënuar me 5 vite, si i shpëtoi drejtësisë

Më: 22 prill 2019 Në ora: 19:39
Klement Çala

Një nga personat e dyshuar si të përfshirë në grabitjen e miliona eurove në Rinas, Klement Çala, ia ka dalë të lirohet dhe nga drejtësia shqiptare edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar.

I shpallur në kërkim që prej vitit 2013 nga autoritete greke, pasi u arratis bashkë me Admir Muratajn nga burgu i Trikalasë në vitin 2015, policia e arrestoi në Vlorë të riun sëbashku me një nga 4 të arrestuarit për supergrabitjen, Alkond Bengasi.

Në atë kohë, sipas vendimit të gjykatës të zbardhur nga A2 CNN, Policia ishte në kërkim të Bengasit i cili ishte dënuar nga gjykata për përdorim dhe shitje narkotikësh.

Pas identifikimit të tij patrullat e policisë i bënë shenjë të ndalonte por në timon nuk ishte Bengasi, por Klement Çala. Fillimisht ai nuk i ndaloi patrullës dhe përplasi makinën në një nga rrugët e Vlorës por më pas u ndalua. Veç kësaj ai tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u paraqitur si kosovar. Madje ai kishte nxjerrë nga autoritetet kosovare dhe një karte identiteti, por edhe pasaportë me emrin Semir Koca. Pas kontrollit në shtëpi, Çalës iu gjet një pistoletë ndërsa ai tha para hetuesve se identitetin e rremë, por edhe armën, e mbante për shkak të problemeve në Greqi.

Gjatë gjykimit në Vlorë por edhe për shkak të pendesës, ndonëse në shtetin grek akuzohej për vrasje e grabitje, Klement Çala u dënua vetëm me 5 vite burgim. Por më e çuditshmja qëndron në faktin se gjykata e konsideroi Çalën si person të parrezikshëm madje shtoi se kur jepen dënime deri në 5 vite mund të urdhërohet që i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

Pas 1 viti shërbim prove, Çala u lirua nga akuzat e armëmbajtjes, drejtimit të mjetit pa leje por edhe falsifikimit të letërnjoftimeve në Shqipëri në një kohë që emir i tij rezulton në kërkim ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat