Gazmend Kapllani-Brahos: Merremi me budallain dhe nostalgjikun e komunizmit e krimeve të tij

Shqipëria

Gazmend Kapllani-Brahos: Merremi me budallain dhe nostalgjikun e komunizmit e krimeve të tij

Më: 23 prill 2019 Në ora: 23:56
Gazmend Kapllani

Pak ditë më parë, deputeti socialist Spartak Braho i cilësoi Agron Tufën dhe Gazmend Kapllanin “vrasës me pagesë” dhe “pinjollë të ballistëve”. Ky i fundit ka reaguar në “Top Show”, marrë shkas nga akuzat në distancë të Brahos, por dhe libri “Krimet e Komunizmit” të Çelo Hoxhës, ku ngrihen pikëpyetje për kontributin e drejtuesve të formacioneve partizane gjatë periudhës së luftës.

“Nuk e kam lexuar librin ‘Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945 (Dokumente)”, me autor Dr. Çelo Hoxhën, botuar në vitin 2014 nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i miratuar nga Bordi Drejtues dhe anëtarët e Këshillit Shkencor të këtij Instituti. Mezi pres ta lexoj, sepse historia jonë ka nevojë për hulumtime serioze, nga njerëz serioze, pasi u përdhunua dhe iu imponua me terror shqiptarëve për një gjysmëshekulli”, thuhet në reagimin e zotit Kapllani.

Sipas tij, jemi ende në fillimet e një debati shumë të vështirë, por që bëhet edhe më i vështirë nga përmasat e papara dhe groteske të falsifikimit të historisë që ndërmorri banda e Enverit, nga mungesa dëshpëruese e infrastrukturave akademike dhe hulumtuese, e sigurisht nga mospërfillja që shoqëria e sotme shqiptare tregon për atë kohë aq mizore, apo për periudhën e luftës, ku u përgatit marrja e pushtetit nga banda e Enverit.

“Mospërfillje e cila është pasojë e kombinimit të shplarjes sistematike të trurit dhe të një traume shumë të thellë. Nuk kam më të voglin dyshim që do të jenë të shumta debatet, mospajtimet, intepretimet e ndryshme. Problemi është të jetë gjithçka në kuadrin e një debati të civilizuar, aq sa të jetë e mundur, fundi i fundit, në kuadrin e debatologjisë shqiptare”, vijon më tej Kapllani.

Sidoqoftë, thotë ai në reagimin për “Top Show”, deri tani ka dëgjuar reagime kundër librit, të egra, shantazhuese, denigruese.

“Vijnë pothuajse që të gjitha nga njerëz të veshur, dje apo sot me pushtet dhe imunitet politik, njohja e të cilëve për historinë është thellësisht propagandistike dhe duhej të ishte në fakt objekt i gallataxhinjve dhe jo i intervistave serioze. Por, me që në vendin tonë kufiri mes gallatës dhe seriozitetit, midis kopukut dhe deputetit, është pothuajse i padukshëm tashmë, rrimë dhe merremi me budallain që hedh një gur në lumin e padijes dhe mbyten dyzetë të tjerë për ta nxjerrë”, shprehet zoti Kapllani.

Gazmend Kapllani jep edhe arsyen përse Parlamentin, sipas tij, shqiptarët po e shohin gjithnjë e me më pak respekt.

“Di gjithashtu që të gjithë “reaguesit” janë kush më shumë e kush më pak nostalgjikë dhe mbrojtës të regjimit komunist dhe të krimeve të tij – disa janë edhe bashkëpunëtorë të këtyre krimeve. Kjo është një arsye tjetër, përse në një vend serioz, njerëz të tille do të kishin mundësi të flisnin vetëm te qebaptorja e lagjes, që të dëfrenin gjindjen rreth e rrotull. Por te ne, ata bubullojnë në Parlament, prandaj dhe këtë të fundit shqiptarët po e shohin me më pak respekt, edhe sesa qebaptoren e lagjes”.

Për të vijuar me vlerësimin e autorit të librit.

“Di gjithashtu që autori i librit ka shfletuar aq shumë arkiva dhe dosje, ka harxhuar aq shumë kohë duke hulumtuar, ndërsa “reaguesit” shumicën e jetës së tyre e kanë kaluar duke gjurmuar “armikun e brendshëm” ose duke u marrë me zullume politike, ose duke shfletuar dhe studiuar meny restorantesh dhe mejhanesh. Por, duke qenë që autori ka shfletuar 15 mijë faqe dokumente për të nxjerrë konkluzionet e tij, as numri i shumtë i menyve të mejhaneve që kanë shfletuar dhe studiuar “reaguesit”, nuk e konkurron dot vëllimin e punës së autorit”, përfundon reagimin e tij Kapllani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat