Një ish-efektive shpallet në kërkim për grabitjen në Rinas

Shqipëria

Një ish-efektive shpallet në kërkim për grabitjen në Rinas

Më: 24 prill 2019 Në ora: 17:38
Foto

Policia ka shpallur në kërkim një ish-efektive policie lidhur me grabitjen e miliona eurove në Rinas.

Burime për RTV Ora bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasen E.Bici, e cila dyshohet se ka ndihmuar për djegien e furgonit të dytë në Bathore.

Më herët, Gjykata për Krime të Rënda la në arrest me burg për 3 të arrestuarit e tjerë në lidhje me grabitjen në Rinas.

Seanca për Renaldo Sulën, Saimir Çelën dhe Oltian Veselin u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Tashmë për prokurorinë është pothuajse i zbardhur roli i secilit nga të arrestuarit në grabitjen e 9 prillit brenda aeroportit.

Deri tani hetuesit kanë identifikuar 8 persona, nga të cilët pesë prej tyre janë arrestuar ndërsa njëri, Admir Murataj, është vrarë. Dy vellëzerit Klement dhe Eldi Çala janë shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, dyshohet se Admir Murataj dhe Klement Çala kanë qenë organizatorë të grupit, kjo dhe për shkak të eksperiencave të mëparshme të tyre në grabitje të kësaj natyre si dhe të veprimeve te zbardhura nga kamerat e sigurisë.

Alkond Bengasi është personi që ka modifikuar furgonin, duke lënë në të edhe gjurmë gishtash që çoi në ndalimin e tij, i cili dha edhe emrat e personave te tjerë të cilët u zbuluan se kishin lidhje me dy organizatorët.

Oltion Veseli dhe Elton Pikli dyshohet se kanë marrë pjesë aktive në grabitje ndërsa Renaldo Sula dhe Saimir Çela dyshohet se kanë ndihmuar në modifikimin e furgonit por dhe në veprime te tjera tek servisi ku janë kryer punimet në Elbasan.

Ndërkohë të pazbardhur mbeten ende dy shtetas nga Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat