Ferhati: Qeveria legjitime ecën përpara, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor

Shqipëria

Ferhati: Qeveria legjitime ecën përpara, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor

Më: 24 prill 2019 Në ora: 20:32
Klotilda Ferhati

Shtyrja e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, sipas deputetes socialiste Klotilda Ferhati është bërë me qëllim që Partia Socialiste të mundësojë votën e emigrantëve.

Sipas deputetes Ferhati, Reforma Zgjedhore e cila po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me OSBE-ODIHR-in, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e gjithëpranuar.

“Ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk mund të aplikohen në zgjedhjet lokale, Reforma Zgjedhore po bëhet në bashkëpunim të ngushte me OSBE-ODIHR, është një proces i nisur mirë dhe ka gjasa të jetë më efektiv, sepse nuk ka bojkot në Kuvend. Një pjesë e mirë e opozitës është jashtë Parlamentit, Kryeministri Edi Rama ka thënë që gjithmonë do të këtë vend për ta. Kjo qasje ka qenë edhe kur ish-kolegët e opozitës ishin në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Në këto kushte kjo qasje që ka pasur PS vazhdon të jetë, nuk ka ndryshuar. Kur bëhet një reformë, sidomos Reforma Zgjedhore, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e gjithëpranuar. Është një reformë që kërkon një dakordësi dhe diskutim edhe me ata që nuk janë në Kuvend”, – deklaroi Ferhati.

Ferhati u ndal edhe te qëndrimi i disa prej partive opozitare që të mos hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Nuk e mendojmë aspak, qeveria legjitime ecën para, nuk ka se si të bëjë hapa prapa. Zgjedhjet do të jenë në 30 qershor, nuk do të plotësohen kërkesat dhe vendimet absurde të opozitës. Çudia më e madhe është që opozita që bojkoton zgjedhjet bën koalicion kundër zgjedhjeve. Nuk mund të shkojmë prapa veprimeve të pamatura dhe ekstreme të opozitës. I vetmi model i kaosit dhe rrëmujës është opozita që ka dalë sot në rrugë. Nuk është populli që proteston me opozitën, por janë militantët ata që kanë dalë në rrugë. Jemi një shtet demokratik, nuk mendoj se qytetarët shqiptarë do të bashkohen me opozitën për të marrë pjesë në veprime të dhunshme. Qytetarët kanë të drejtën e tyre që të votojnë në 30 qershor. Asnjë minorancë nuk ka të drejtë të pengojë qytetarët që të votojnë. Opozita nuk e fiton dot pushtetin me votë dhe kërkon ta marrë në tavolinë, por kjo nuk mund të jetë efektive”, – theksoi ajo.

Ferhati foli edhe për krijimin e partive të reja.

“Opozita është çdo qytetar që shpreh zërin e tij, opozitën nuk e ka monopol askush. Mazhoranca ka detyrimin ligjor të sigurojë kushte maksimale, që kush kërkon të hyjë në zgjedhje të mos pengohet, por nuk është detyrë e qeverisë të detyrojë subjektet politike që të hyjnë në zgjedhje. Zgjedhjet do të njihen si të vlefshme”, – përfundoi ajo. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat