Skenari i opozitës/ Nis sot mosbindja civile, bllokohen 5 akset kryesore në vend

Shqipëria

Skenari i opozitës/ Nis sot mosbindja civile, bllokohen 5 akset kryesore në vend

Më: 25 prill 2019 Në ora: 09:06
Ilustrim

Ultimatumin e saj për qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama lidhur me zgjedhjet vendore, opozita sot do ta transmetojë përmes një prej formave të mosbindjes civile, atë të bllokimit të akseve kryesore në vend.

Në orën 18:00, opozita u ka bërë thirrje qytetarëve të vendosen në 5 akset kryesore për të paralizuar trafikun. Qytetarët dhe militantët e opozitës do të mbështeten nga ish-deputetët e opozitës, të cilët gjithashtu janë ndarë sipas zonave, të cilat kanë mbuluar përpara se të digjnin mandatet.

RRUGËT

Simpatizantët e opozitës, të mbështetur edhe nga ish-deputetët e Qarkut të Elbasanit dhe Korçës, do të protestojnë në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Në krye të kësaj proteste do të jenë ish-deputetët Edmond Spaho, Endri Hasa, Luçiano Boçi, Ervin Salianji dhe Hekuran Hoxhalli. Një tjetër aks i rëndësishëm që do të bllokohet pasditen e sotme është edhe autostrada Plepa-Kavajë, ku në mbështetje të qytetarëve do të jenë ish-deputetët Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Orjola Pampuri dhe Florion Mima.

Protestën kryesore të saj, opozita pritet ta zhvillojë në Tiranë në rrethrrotullimin e Shqiponjës. Kësaj proteste pritet t’i bashkohet edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Vendimi për ndryshimin e strategjisë opozitare për t’i zhvendosur protestat opozitare në bllokimin e rrugëve erdhi pas mbledhjes që kreu i opozitës zhvilloi me Kolegjin e Kryetarëve të PD-së.

Në protestën te rrethrrotullimi i “Shqiponjës” do të jenë edhe ish-deputetët: Aldo Bumçi, Albana Vokshi, Halim Kosova, Gent Strazimri, Klevis Balliu, Agron Shehaj, Grida Duma, Jorida Tabaku, Genc Pollo, Dhurata Çupi, Valentina Duka, Astrit Veliaj, Isuf Çela dhe Fatbardha Kadiu. Në rrethrrotullimin e Sheqit do të zhvillohet protesta e katërt e opozitës, në krye të së cilës do të jenë Enkelejd Alibeaj, Nada Meçorapaj dhe Tritan Shehu. Simpatizantët e opozitës në veri të vendit do të grumbullohen në Milot, ku në krye të tubimit do të jenë Flamur Noka, Lorenc Luka, Bardh Spahia Izmira Ulqinaku, Romeo Gurakuqi, Xhemal Gjunkshi, Lindita Metaliaj dhe Andon Frrokaj.

PROTESTAT

Ky nuk është rasti i parë që opozita vendos të zbatojë forma të mosbindjes civile. Në prill 2017, opozita bllokoi sërish akset kryesore në vend në kërkim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërkohë që në prill 2018 demokratët ishin në rrugë duke kundërshtuar vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.

Protestat e sotme të opozitës vijnë 48 orë pas një marrëveshjeje të gjerë, ku koalicioni opozitar firmosi për të mos hyrë në zgjedhjet vendore pa largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, është shprehur i bindur se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi opozita nuk do të lejojë më që të ketë procese farsë të diktuara nga krimi.

“Kjo fillon pikësëpari duke i dhënë fund krimit elektoral, zgjedhjeve false. Angazhimi i parë dhe kryesor i koalicionit opozitar, që është maxhoranca e re politike, morale dhe numerike e Shqipërisë, është që të kthejë vendimmarrjen në duart e shqiptarëve. Kurrë më nuk do të pranojmë një proces zgjedhor fals, të diktuar nga krimi, që prodhon Parlament fals, kukull, të interesave kriminale të oligarkisë, qeveri false, vegël të interesave kriminale të oligarkisë që grabisin pasuritë e shqiptarëve. Do të angazhohemi fuqimisht përmes aksionit tonë të përbashkët, që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në të cilat të diktojë vullneti i qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Basha pas nënshkrimit të marrëveshjes me aleatët.

RRUGET KU PROTESTON OPOZITA SOT, NE OREN 18:00

1- Tiranë (Rrethrrotullimi i Shqiponjës).
2- Durrës (Autostrada Plepa – Kavajë).
3- Milot (Karburanti në Autostradë).
4- Fier (Rretrrotullimi i Sheqit).
5- Elbasan (Rrethrrotullimi Bradashesh).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat