5 milionë euro financimi i BE-së, laboratorët e vendit me pajisje të viteve ‘70

Shqipëria

5 milionë euro financimi i BE-së, laboratorët e vendit me pajisje të viteve ‘70

Më: 25 prill 2019 Në ora: 22:04
Laboratorët e vendit me pajisje të viteve ‘70

Fiks Fare vazhdon të denoncojë me fakte se si AKU por edhe ISUV nuk kanë kapacitete laboratorikë për të kryer analizën e konservantëve dhe shtesave ushqimore. Sipas specialistëve, këto përbërës në ushqime përtej normave të lejuara, janë përgjegjës për shfaqjen e sëmundjeve tumorale dhe kardiovaskulare.

Berati dhe Elbasani, edhe pse dy qarqe me një shtrirje të madhe gjeografike, nuk kanë laboratorë për kryerjen e analizave edhe më minimale. Madje, qyteti i Beratit nuk ka as godinë. Ndërsa në Elbasan është bërë një shtesë për ambientet e laboratorit, financuar nga BE, pajisjet janë aty, por nuk ka staf.

Në gjendje të mjerueshme paraqitet edhe Vlora me Gjirokastrën, në të cilat nuk kanë staf apo pajisjet e duhura për të analizuar të gjithë gamën e ushqimeve. Gjirokastra si pikë kufitare ku interesi për kontrolle dhe analiza duhet të jetë më i madh ashtu edhe Vlora për shkak të portit dhe shtrirjes së madhe gjeografike.

Në Lushnjë, ish-Instituti i Kërkimeve Bujqësore i hapur në 1952 funksionon sot si Laborator i Transferimit të Teknologjive Bujqësore. Pavarësisht rëndësisë që ka ky laborator në kërkimin shkencor apo kontrollin e grurit dhe fruta-perimeve, investimi i fundit në të është bërë në vitin 2004. Sipas përgjegjëses së laboratorit, ata kanë ende në punë pajisje të viteve 70. Ata kanë mundësi të bëjnë edhe prezencën e pesticideve tek frutat dhe perimet, por me teste të shpejta, pa përcaktuar nivelin e tyre.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, është një nga laboratorët më të mirë të vendit. Ky institut mban peshën më të madhe të analizave që bëhen në rang kombëtar. Por pavarësisht investimeve nga projekte të huaja, sërish ky institucion nuk ka kapacitetet laboratorike për të kryer analizat e konservantëve apo shtesave si benzoati, sorbati, hormonet, niveli i pesticideve etj.

Nuk është i akredituar për të gjithë gamën e analizave që kryen edhe pse vitin e fundit përpjekjet kanë qenë shumë të mëdha. Nga zyra e Bashkimit Europian, Fiks Fare u informua se ata kanë investuar rreth pesë milion euro laboratorë për AKU-në dhe rreth dy milion euro në pajisje laboratorike për ISUV dhe AKU.

Por, pavarësisht këtyre financimeve asnjëri nga laboratorët e AKU-së nuk është në nivelin e kërkuar dhe asnjë nuk është i akredituar.

BE nga viti 1993 ka investuar nëpërmjet programeve të ndryshme rreth 220 milion euro. Deri në korrik të 2019 duhet të jetë finalizuar edhe projekti për disa shtesa në pajisje laboratorike për ISUV dhe disa laboratorë të AKU-së. Pavarësisht këtyre shifrave, siguria ushqimore kërkon vëmendjen e shtetit shqiptar, pasi jemi akoma shumë larg kërkesave të Bashkimit Europian dhe normativave që ai ka vendosur për të qenë pjesë e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat