Fshehja tatimeve nga bizneset, bar-restorantet me abuzimet më të shumta

Shqipëria

Fshehja tatimeve nga bizneset, bar-restorantet me abuzimet më të shumta

Më: 26 prill 2019 Në ora: 15:54
Foto

Bar-restorantet rezultojnë një nga sektorët me abuzimet më të shumta në Shqipëri përsa i përket fshehjes së tatimeve. Administrata Tatimore ka nisur kontrollet pasi nga analiza e riskut kanë konstatuar një seri shkeljesh, siç janë mosraportimi real i shitjeve, numri i vogël i punonjësve të deklaruar dhe moslëshimi i kuponit tatimor.

Ndërhyrja në këtë treg lidhet direkt edhe me sektorë të tjerë të rëndësishëm.

"Mosdeklarimi i shitjeve reale,  numri i vogël i punonjësve të deklaruar në këto subjekte, niveli i pagës, që është kryesisht paga minimale  apo mos lëshimi i kuponit tatimor dhe shpeshherë detyrimet të papaguara që rezultojnë në këto tatimpagues. Nuk do jetë me një afat të caktuar dhe kufizuar por ne synojmë që asistencën tonë, monitorimin tonë në këto tatimpagues fillimisht ta kemi për një periudhë të qëndrueshme,"-tha përfaqësuesja e Administratës Tatimore.

Pas kësaj nisme Administrata Tatimore pret që të rrisë arkëtimet nga ky segment i tregut.

"Analiza ka nxjerrë këtë sektor me risk. Sigurisht që ka pasur problematika dhe është sektor me risk në përmbushje, pikërisht ne kemi filluar me këtë sektor që hap pas hapi të shohim dhe sjelljen dhe rezultatin e tatim paguesve. Në momentin që do kemi këto ndryshime do mund që të japim shifra konkrete në rritje,"-shtoi ajo.

Plani sektorial i bar-restoranteve synon ndërtimin e një praktike të re pune të Administratës Tatimore në menaxhimin e riskut në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. I gjithë procesi që nga identifikimi, analizimi, ndërtimi dhe modelimi i strategjisë së ndërhyrjes është asistuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që do të monitorojë zbatimin e planit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat