Hahn: Të hapen negociatat për Shqipërinë, reforma në drejtësi ekzemplare

Shqipëria

Hahn: Të hapen negociatat për Shqipërinë, reforma në drejtësi ekzemplare

Më: 26 prill 2019 Në ora: 19:18
Komisioneri europian, Johanes Hahn

Komisioneri europian, Johanes Hahn shprehet i bindur se në fund të muajit Maj Komisioni Europian do të paraqesë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sipas kritereve të miratuara njëzëri nga shtetet anëtare, në një intervistë të dhënë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve(DPA).

“Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në raport me kriteret e pranuara nga shtetet anëtare. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është ekzemplare. Për më tepër, pritshmëritë legjitime të shqiptarëve duhet të vlerësohen nga shtetet e BE-së. Megjithatë, për shembull, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në sektorë që shqetësojnë veçanërisht shtetet anëtare, duhet të rriten”, vazhdoi Hahn i pyetur nëse Shqipëria do të marrë sërish rekomandim pozitiv.

“Nëse BE-ja nuk eksporton vazhdimisht stabilitet tek fqinjët tanë të afërt, atëherë do të importojë destabilitet”, tha komisionari europian i pyetur nëse shtet e BE-së do të respektojnë rekomandimin e Komisionit.

Për sa i përket pasojave në rast se rekomandimi pozitiv i Komisionit nuk do të miratohet Hahn deklaroi se “bëhet fjalë për kredibilitetin e BE-së. Vetë shtetet anëtare vendosën qershorin si afatin për të vendosur hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Shtyrja dhe mos njohja e progresit objektiv të bërë nga vendet kandidate do të ketë pasoja dramatike për këto vende dhe rajonin si të tërë”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat