Rama nga Elbasani: Zgjedhjet do mbahen në 30 qershor! Të gjitha bashkitë do i marrim ne

Shqipëria

Rama nga Elbasani: Zgjedhjet do mbahen në 30 qershor! Të gjitha bashkitë do i marrim ne

Më: 27 prill 2019 Në ora: 12:48
Edi Rama

“Gjithçka kemi bërë për Elbasanin nuk do e kishim bërë pa Qazim Sejdinin dhe as ai pa ne. Gjashtë vjet ishte me Saliun dhe gjashtë të tjera me ne”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ditën e sotme, gjatë aktivitetit “Bashkia që duam”.

Ai shtoi se gjatë qeverisjes socialiste janë bërë dhjetë herë më shumë projekte në gjashtë vitet e dyta me Qazim Sejdinin në krye dhe se ai po e mbyll mandatin me nder.

Kreu i qeverisë nuk la pa komentuar opozitën duke thënë se mbeti rrugëve duke bllokuar mijëra qytetarë dhe pretendon se me bllokimin e rrugëve po lufton për demokraci.

Ai ironizoi duke thënë, “Sa i dehur duhet të jesh që të shkoni pas berihait? Votat ua dhatë që të vijnë në Parlament për të luftuar me ide dhe programe dhe jo për ta kthyer Parlamentin në një kopsht pa drekë dhe për të luftuar me vezë e me bojë e me miell e me çizme”.

Sipas tij, opozita duhet të japë llogari para të gjithë atyre që ju dhanë votën, pasi kanë detyrim të përfaqësojnë popullin “ti nuk je popull, ti je shërbëtor i popullit që nuk mund ta përdorësh popullin si mish për top dhe të nxjerrësh disa të verbër përpara që të gjuajnë policinë, të hedhin bojë dhe të nxijnë Shqipërinë”.

Rama shtoi se mazhoranca ka bërë gjithçka ka mundur që zgjedhjet të mos bëheshin pa opozitën dhe se Partia Demokratike bashkë me “partinë e filxhanit”, sido qoftë janë pjesë e rëndësishme e opozitës dhe kujtoi se në vitin 2017 pavarësisht se gjithë bota i dënoi dhe tha se zgjedhjet do të bëhen edhe pa ata, u këmbëngul deri në fund që të ishin në zgjedhje.

“Ndaj i dhamë Lulit gjithçka që kërkoi, i dhamë gjysmën më të rëndësishme të qeverisë. I dhamë drejtimin e gjithë agjencive më të rëndësishme deri te Drejtoria e Burgjeve. Ia dhamë sepse ishte momenti për të mirën e vendit dhe për prespektivën europiane. Ne sakrifikuam diçka nga pushteti ynë që të mos paguante çmimin Shqipëria. Mbasi mori gjithë sa kërkoi dhe mbasi dha fjalën se nuk do i konstatonte zgjedhjet, u mësua keq dhe sa afruan zgjedhjet, kërkoi prapë. Po pse çfarë jemi ne kopsht? Që të marrë lodrat kush bërtet më shumë”, deklaroi Rama.

Ai tha se PD është parti që feston fitoren e Ajax nga që ai është me Juventus.

Këtu ai përmendi ish-deputetin demokrat Edmond Spaho duke thënë se Ajaxi fitoi me lojë të bukur jo duke djegur gomat para stadiumit dhe nuk tha që nuk hyjnë në fushë po nuk e çuan Cristiano Ronaldon në shtëpi.

“Këtu në Elbasan keni fallxhoren deputete! Ah, e kishit! Por prapë do ju vijë, do ju shohëë filxhanin në shtëpi dhe do ju thotë e keni një rrugë për jashtë shtetit po nuk votuat mua. Ndaj më votoni mua që të rrini këtu dhe të thotë se Shqipëria është shtëpia jonë. Ta çojë dorën njëri që është me PD, që nuk e ka pasur kryesor hallin se fallxhorja do e shkatërrojë PD duke i marrë votat”, tha Rama.

Në këtë linjë nënvizoi se tani PD u bë bashkë me “fallxhoren”, dhe ajo thotë se “E kam parë në filxhan se Ramës do i ndodhë diçka e keqe, infarkt, spital, Gjermani. Për dreq unë i dalë prapë përpara”.

Kryeministri deklaroi se në 30 qershor në sheshin e Elbasanit do të bëhet një festë e madhe dhe gjithë Elbasani do të falënderojë Qazim Sejdinin dhe do i japë besimin e votave dhe fitoren pasardhësit të tij duke uruar që të vazhdojë në atë rrugë dhe të bëjë edhe më shumë.

“Ajaxi mund të dalë kampion Europe por kampion këtu ka qenë dhe do mbetet Partia Socialiste e Shqipërisë. Të gjitha bashkitë e Shqipërisë do i marrë dhe drejtojë PSSH nga Kukësi deri në Skrapar, nga Shkodran në Sarandë. Po, të gjitha bashkitë do i marrim ne sepse kudo ne mund të bëjmë më shumë për njerëzit dhe sidomos aty ku deri më sot kanë qeverisur ata”, tha ndër të tjera Edi Rama. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat