Pashkët ortodokse, Meta: Me besimin në Zot, mund të tejkalojmë çdo sfidë

Shqipëria

Pashkët ortodokse, Meta: Me besimin në Zot, mund të tejkalojmë çdo sfidë

Më: 27 prill 2019 Në ora: 16:43
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta i ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për kremtimin e pashkëve.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme”.

Postimi i plotë:

Në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, u uroj nga zemra besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar: Nga mot gëzuar Pashkët! Mbarësi, shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!
Festa e Pashkëve dhe e dritës që nuk perëndon kurrë, na kujton sot se para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës e zhgënjimit, mosbesimit e arrogancës, korrupsionit, dhunës dhe çdo fenomeni negativ që vret paqen, drejtësinë e barazinë sociale dhe helmon rëndë shoqërinë, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë.
Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.
Të dashur miq,
Dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme.
Duke u përcjellë të gjithëve urimet e mia më të mira në prag të kësaj Dite të Shenjtë, jam i bindur se shpresat te jeta më e mirë do të ringjallen për mbarë shqiptarët!
GËZUAR PASHKËT

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat