Takimi me Merkel e Macron, Rama: Kërkova mbështetje, Shqipëria nuk do të dështojë në çeljen e negociatave

Shqipëria

Takimi me Merkel e Macron, Rama: Kërkova mbështetje, Shqipëria nuk do të dështojë në çeljen e negociatave

Më: 30 prill 2019 Në ora: 16:13
Angela Merkel, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se Shqipëria do të ketë hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në një intervistë nga Berlini për “Top Channel”, ai theksoi se kush thotë se u mbyllën dyert për negociatat thotë atë që dëshiron.

Në intervistën e dhënë në përfundim të samitit të Berlinit kryeministri theksoi disa nga rezultatet.

“Jam i mahnitur nga reflektimet e samitit ende pa mbaruar samiti, në kazanet lokalë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Mund t’ju them me plot gojë e pa një fije dyshimi që jam i kënaqur. Jam i kënaqur nga takimi me kancelaren. Nga dialogu dhe përfundimet e gjithë takimit intensiv që u zhvillua më pas mbi procesin dhe normalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Jam i kënaqur nga takimet e sotme me kryetaren e Andrea Nahles, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Ëadephul”, theksoi kryeministri.

Sipas Ramës, qasja ndaj Shqipërisë dhe këndvështrimi mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë, janë absolutisht në drejtimin e duhur.

“Ka vetëm një detaj, që lidhet me procesin e brendshëm të Bundestagut që duhet ta shqyrtojë çështjen bazuar në raportin e Komisionit. Por ama, kush thotë që u mbyllën dyert për negociatat, apo që Shqipëria nuk do t’i çelë zyrtarisht negociatat këtë vit, thjesht thotë atë që dëshiron. Fatkeqësisht, njerëz të dëshpëruar, të cilët duan patjetër dështimin e Shqipërisë, ashtu siç edhe duan dështimin e dialogut me Serbisë dhe Kosovës nga ana tjetër, por që me siguri gabojnë dhe duke i mishëruar u them të gjithëve që Shqipëria nuk do të dështojë dhe ne do t’ia dalim”, tha ai.

“Që Shqipëria nuk do të dështojë këtë vit, ashtu siç e dëshirojnë me patjetër ata të cilët kujtojnë se do të ndërtojnë suksesin e tyre mbi dështimin e Shqipërisë. Nuk e marrin dot Shqipërinë as peng e as me vete në rrugën drejt të panjohurës dhe faktikisht drejt theqafjes politike ku kanë hyrë”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se në takimet me Merkel e Macron ka kërkuar atë që Shqipëria meriton, mbështetje për çeljen zyrtare të negociatave. “Ne kemi një vit që punojmë dhe punojmë me një proces që zakonisht ndodh kur çelen negociatat dhe faktikisht jemi në atë proces me mirëkuptimin e vendeve anëtare që Shqipëria është në një fazë të re, por tanimë ka ardhur koha që të zyrtarizohet çelja e negociatave. Këtë kam kërkuar dhe këtë kërkoj deri në fund. Jam besimplotë që ne do ia dalim”, tha ai.

Në lidhje me komentet që e cilësojnë samitin një dështim për Shqipërinë dhe po ashtu edhe për Kosovën, Kryeministri theksoi se janë thjesht politikë e brendshme.

“Janë politikë për politikë. Janë deklarata që synojnë të flasin me pjesë të elektorateve, ndërkohë që unë nuk e kam as këtë qasje dhe as këtë problem. Unë u flas drejtpërdrejtë shqiptarëve, atyre të Shqipërisë u them se vendi nuk do të dështojë dhe atyre të Kosovës u them që ka një zhvillim të ri shumë pozitiv, që kancelarja Merkel dhe presidenti Macron janë angazhuar personalisht dhe Gjermania dhe Franca do të përfshihen në një proces intensiv dialogu pa kushte dhe pa paragjykime. Është diskutuar për çështjen e shumëpërfolur të kufijve dhe është thënë se nuk mund të ketë kufij etnik, gjë që e kemi përjashtuar që të gjithë. Por ama nuk do të ketë asnjë paragjykim dhe asnjë parakusht në dialogun që do të vazhdojë”, tha ai.

Duke shpjeguar bisedën me Merkel, Rama tha se si në takimin me kancelaren, qoftë në takim me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, u diskutua fare kalimthi dhe nuk ka asnjë ekuivok për situatën në vend. “Djegia e mandateve është e patolerueshme, mospërfshirja në zgjedhje është e patolerueshme. Dhe çka mund të shtoj nga ana ime është se: Kemi qenë dhe jemi gjithnjë të gatshëm për dialog, por asnjëherë nuk do të negociojmë Kushtetutën dhe ligjet Shqipërisë. Boll më me zgjidhje ekstra që na kanë kthyer në po të njëjtat probleme ekstra”, përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat