Zbardhet vendimi/ Shkarkimi i Antoneta Sevdarit ndau Kolegjin. Ina Rama, kundër: Iu cenua e drejta

Shqipëria

Zbardhet vendimi/ Shkarkimi i Antoneta Sevdarit ndau Kolegjin. Ina Rama, kundër: Iu cenua e drejta

Më: 1 maj 2019 Në ora: 14:04
Antoneta Sevdari

Deklarimi i pamjaftueshëm për të ardhurat e bashkëshortit ishte shkaku i shkarkimit të Antoneta Sevdarit nga detyra si prokurore.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zbardhi dje vendimin e plotë, ndërsa argumenton se Sevdari nuk ka arritur të justifikojë të ardhurat e siguruara nga emigracioni, si dhe në një rast pretendon se nuk janë paguar tatime për këto të ardhura, duke e konsideruar këtë si cenim të besimit të publikut.

Por vendimi më i diskutuar i KPA-së deri më tani është marrë me shumicë vote, pasi anëtarja e pesëshes gjykuese, Ina Rama, ka vlerësuar si të padrejta argumentet e shumicës dhe nuk ka qenë dakord me përfundimin se Sevdari ka cenuar besimin e publikut. Ndërkohë, Kolegji ka pranuar si të bazuara në ligj vetëm 2 nga 5 shkaqet e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik dhe më konkretisht, pretendimin se të ardhurat e deklaruara si të fituara nga emigracioni në Greqi në vitet 1997-2000, në vlerën 3 milionë lekë, si dhe 12 mijë euro nga puna në Arabinë Saudite nuk provohen si të ligjshme me dokumentacion.

“Trupi gjykues arrin në konkluzionin se të ardhurat e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit në vlerën prej 3.000.000 lekësh (duke përfshirë vlerën prej 12.000 eurosh), të deklaruara si burim për krijimin e pasurive tokë arë dhe godinë banimi, me vendndodhje Yzberisht, Tiranë, nuk u provuan nga subjekti se përmbushin kriteret ligjore për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme. Për rrjedhojë, në kuptim të kësaj dispozite kushtetuese, nga kontrolli lidhur me pasuritë e sipërcituara, subjekti i rivlerësimit rezulton të jetë në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për t’i justifikuar ato”, shkruan KPAja.

Më tej, Kolegji pranon si të bazuar pretendimin e Komisionerit Publik, se për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti i Sevdarit, po nga puna në Arabinë Saudite, në vlerën 20 mijë dollarë, nuk provohet të jenë paguar taksat.

“Në përfundim, lidhur me këtë shkak të ankimit, trupi gjykues arrin në konkluzionin se për të ardhurat e krijuara nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit në vlerën e 20.000 USD nga shërbimet e tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite gjatë vitit 2006, nuk u arrit të provohet se për këto të ardhura janë përmbushur detyrimet tatimore përkatëse dhe për rrjedhojë, ato nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme në kuadër të këtij procesi”, argumenton KPA-ja. Sipas këtyre të fundit, kjo gjë ka cenuar besimin e publikut te Sevdari.

RRËZIMET

Më tej, Kolegji ka rrëzuar pretendimet e Komisionerit se bashkëshorti i ish-prokurores nuk ka paguar taksat për fitimet nga biznesi privat i tij, duke e konsideruar ankimin si të pambështetur. Ndërkohë, në lidhje me aftësitë profesionale, Kolegji në përfundim të analizimit të fakteve për një dosje, ku Sevdari për arsye personale të shpjeguara dhe pranuara edhe nga KPA-ja nuk ka bërë rekurs vendimit të pushimit të çështjes, arsyeton se rezultati i këtij rasti nuk është i mjaftueshëm për të t’u konsideruar mangësi profesionale.

Por pavarësisht këtij përfundimit, sipas KPA-së, ky rast tregon dështimin e Prokurorisë dhe për këtë mund të merrej parasysh në vendimin përfundimtar. “Arrin në konkluzionin që problematika e evidentuar tregon dështim të organit të Prokurorisë për të çuar deri në fund ndjekjen penale ndaj zyrtarëve publikë, të cilët kanë probleme ligjore me deklarimin dhe fshehjen e pasurisë dhe cenon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Për këtë arsye, ky rast vlerësohet se ndikon në rezultatin përfundimtar të rivlerësimit të subjektit, në kuadër të vlerësimit të përgjithshëm të të tria kritereve”, shkruhet në vendim.

KUNDËR

Pretendimet e Komisionerit Publik dhe argumentet mbështetëse të anëtarëve të tjerë të trupit gjykues janë rrëzuar nga anëtarja Ina Rama, e cila është shprehur kundër vendimit të shkarkimit. Sipas Ramës, në argumentet e dhëna nga shumica në lidhje me këtë vendim, është cenuar e drejta e Sevdarit për një proces të rregullt, pasi Kolegji ka tejkaluar në një rast kompetencat e tij. Në lidhje me mosjustifikimin me dokumente ligjore të të ardhurave nga emigracioni, sipas Ramës, nga provat dhe shpjegimet provohet se të ardhurat janë krijuar nga puna në emigrim e bashkëshortit.

Më tej, ajo shton se për paraqitjen e disa dokumenteve kanë ndikuar disa kushte. Së pari, koha e largët dhe së dyti, fakti që në kohën kur bashkëshorti i Sevdarit ishte në emigrim, nuk gëzonte statusin e bashkëshortit të Antoneta Sevdarit, e aq më pak statusin e bashkëshortit apo personit të lidhur të një subjekti rivlerësimi. Edhe në lidhje me pretendimin se nuk janë paguar taksa për të ardhurat prej 20 mijë dollarë, Ina Rama argumenton se, edhe nëse do të provohej një fakt i tillë, duhej parë në raport me të ardhurat totale të deklaruara nga subjekti dhe personi i lidhur, për të konkluduar nëse subjekti gjendet ose jo në kushtet e ndëshkueshmërisë.

“Nga krahasimi i 51.011.161 lekë ‘pasuri e deklaruar’ me 46.140.549 lekë ‘pasuri e ligjshme’ (ku rezulton se pasuria e patatuar prej 4.870.611 lekësh përbën vetëm 9,5% të pasurisë së deklaruar në total), lehtësisht konstatohet se nuk gjendemi para kriterit kushtetues për shkarkim, për shkak të pasjes së dyfishit të pasurisë së ligjshme. Përkundrazi, konstatohet se pasuria e ligjshme e subjektit të rivlerësimit përbën 85% të të gjithë pasurisë së deklaruar prej tij”, shkruhet në vendim.

CENIMI I BESIMIT

Në lidhje me përfundimin se në dy raste Antoneta Sevdari ka cenuar besimin e publikut, së pari Rama argumenton se KPA-ja ka tejkaluar edhe shkaqet e ankimit, duke dhënë vlerësim për një shkak që nuk është pretenduar as nga Komisioneri Publik. Në këto kushte, sipas anëtares së KPA-së, është shkelur e drejta e Sevdarit për një proces të rregullt.

“Në këto rrethana, Kolegji ka tejkaluar, në vlerësimin tim, shkaqet e ankimit në dëm të interesave të subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, duke cenuar të drejtën e saj për një proces të rregullt dhe zbatimin e parimit e kontradiktoritetit. Kolegji do të duhej të mbante qëndrim rreth shkakut të ngritur në ankim nga Komisioneri Publik në lidhje me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit dhe të mos analizonte dhe të kryente një vlerësim tërësor të tri kritereve të rivlerësimit, për sa kohë që një vlerësim të tillë Komisioneri Publik nuk e kishte pretenduar se duhej të kryhej në funksion të marrjes së masës disiplinore të shkarkimit”, argumenton Rama.

Edhe në lidhje me vlerësimin se Sevdari ka cenuar besimin e publikut në lidhje me mosushtrimin e ankimit për një vendim, është konsideruar e padrejtë nga anëtarja e KPA-së. “Në rastin e subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, sipas pohimeve të vetë asaj dhe të verifikueshme në aktet që janë pjesë e dosjes gjyqësore, ka rezultuar se ajo ka ushtruar ndjekjen penale në mënyrë të suksesshme për çështje shumë të rëndësishme për publikun e financat e shtetit shqiptar, të cilat në këtë kuadër duhet të analizoheshin për të arritur në një konkluzion të drejtë e të baraspeshuar nëse subjekti e ka cenuar ose jo besimin e publikut vetëm me mosushtrimin e ankimit ndaj një vendimi të vetëm”, përfundon kundërshtimin Ina Rama.

“Ky proces po përdoret si një vegël në shërbim të forcave politike”

Pak ditë pas shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Antoneta Sevdari iu drejtua ambasadës së SHBA-ve, BE-së, ONM-së, Presidentit, Kryeministrit dhe ndër të tjera qytetarëve dhe publikut, të cilit i “kishte cenuar besimin”, duke pretenduar se vetëm dy arsye mund të kishin sjellë shkarkimin e saj nga detyra dhe ato nuk lidhen me aftësitë e saj dhe pasurinë e bashkëshortit.

Sipas Sevdarit, shkarkimi është ose pasojë e profesionalizmit të dobët të gjykimit të trupit gjykues, ose është urdhër nga interesa të caktuara me të cilat ajo është përballur gjatë punës së saj. “Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin; Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket së ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur”, shkruan Antoneta Sevdari.

Kjo e fundit ngriti dyshime për funksionin e Reformës në Drejtësi, për të cilën tha se kishte dyshime se po përdoret nga krimi dhe politika. “Mos po shndërrohet edhe ky në një proces të korruptuar, në një vegël në shërbim të hakmarrjes prej kriminelëve, të cilët, gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen këtij procesi, i kanë çuar përpara drejtësisë? Mos ndoshta po përdoret edhe ky proces si një vegël në shërbim forcash politike, të cilat, jo rrallë, fatkeqësisht, u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare?”, shkruante Sevdari dy muaj më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat