Zanatçinjtë i gjen 1 maji të papunë

Shqipëria

Zanatçinjtë i gjen 1 maji të papunë

Më: 1 maj 2019 Në ora: 16:24
Mehmet Laçi

Punëtorët e zanatit të ndërtimit gjenden edhe në 1 maj të papunë. Ndonëse qeveria i ka mëshuar fort kurseve profesionale, duket se të tilla profesione po hasin në vështirësi. Të dhënat zyrtare flasin për 12.3% e forcës punëtore të papunë.

Edhe 1 maji dita e punëtorëve e gjen Mehmet Laçin te zona e Ushtarit të Panjohur në kryeqytet.

Prej më shumë se 10 muajsh kërkimi i tij për një vend pune nuk ka pasur rezultat.

Edhe këtë ditë, Mehmeti endet me shpresën se dikush do ti ofrojë një punë në ndërtim.

Mehmet Laçi: "Mund të vijë një ose dy punëmarrës në ditë. Por këtu janë 100 punëtorë, kë do marrin më para. Ka rënë puna." 

Mehmeti, babai i 10 fëmijëve tregon se është regjistruar edhe në zyrën e punës, por nuk e ka thirrur askush deri më sot.

Të ardhurat e vetme të familjes vijnë nga dy fëmijët e tij. Për kryefamiljarin, pesha më e madhe mbi supe mbetet kthimi në shtëpi pa siguruar asnjë të ardhur.

Mehmet Laçi: "Rri duke pritur nga ora 06:00 deri në orën 17:00."

Ndërsa, në Fier për të dytin vit radhazi, i vetmi njeri që protestoi në ditën e punëtoreve ishte Edmond Hoxha.

Me një pankartë ku ironizohej kryeministri Rama dhe çdo politikan sipas tij që ka neps për pushtet.

Edmond Hoxha: "Skënderbeu jonë i botës së çudirave premtoi nga 300 mijë vende pune. Por shikoj njerëzit që hanë fara gjithë ditën se nuk shikoj njeri të punoj. Jo se nuk kanë dëshirë." 

Prej 1 Majit të vitit të kaluar, Edmondi i numëron ditët e punës me gishta, por megjithatë ai nuk dëshiron të gjejë mundësinë e punësimit jashtë Shqipërisë.

Edmond Hoxha: "Të gjithë thonë hajde iki, por unë nuk dua."

Zyrtarisht, 12.3% e forcës punëtore është e papunë. Papunësia arrin 23% në moshën 15-29 vjeç dhe 9.2% në moshën 30-64 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat