Rama tregon nëse Macron fajësoi Shqipërinë për mos heqje vizash për Kosovën

Shqipëria

Rama tregon nëse Macron fajësoi Shqipërinë për mos heqje vizash për Kosovën

Më: 2 maj 2019 Në ora: 12:22
Macron dhe Rama

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka vlerësuar në vijimësi punën e përbashkët për uljen në 40% të numrit të azilkërkuesve shqiptarë vitin e shkuar, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë Socialiste, Rama iu përgjigj atyre që dezinformuan duke shkruar se “Presidenti Macron paska fajësuar Shqipërinë për mos heqjen e vizave për Kosovën”.

Rama sqaroi fillimisht çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke theksuar se “ky është shembulli më spektakolar i faktit se askush nuk i thotë dot më Kosovës se nuk i ka përmbushur kriteret”.

“Askush nuk i thotë jo, por sidoqoftë çështja nuk futet fare në rend të ditës për shqyrtim se të gjithë e dinë se disa qeveri në BE i friken forcave anti-europiane në vendet e tyre nëse i japin Kosovës atë që i takon”, tha Rama.

Duke folur për dezinforimin mediatik e politik, Rama tha se “këtu u arrit të shkruhej deri edhe se presidenti Macron paska fajësuar Shqipërinë për mos heqjen e vizave për Kosovën”.

Aspak e vërtetë, tha ai, duke shtuar se “presidenti i Francës foli hapur për faktin se ato forca e keqpërdorin çdo problem, përfshi edhe atë të azilkërkimit të disa mijëra individëve nga vendet jo anëtare të BE-së, si një argument për të frikësuar elektoratin dhe për t’u rritur përmes ushqimit të frikës”.

“Pa pikë turpi Saliu dhe dajë Titi vrapuan të fajësojnë qeverinë tonë në emër të presidentit të Francës i cili përkundrazi e ka vlerësuar në vijimësi punën e përbashkët për uljen në 40% të numrit të azilkërkuesve shqiptarë vitin e shkuar. Mjerë ky vend për këta rrugëhumbur të dëshpëruar dhe për kadrinjtë e tyre të zellshëm që nuk lënë gjë pa shpikur dhe shpifur për të helmuar miletin çdo ditë”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat