Dënime me burg për dhunën ndaj mjekëve dhe në stadiume - Bota Sot
Dënime me burg për dhunën ndaj mjekëve dhe në stadiume

Shqipëria

Dënime me burg për dhunën ndaj mjekëve dhe në stadiume

Më: 2 maj 2019 Në ora: 12:54
Mjekët

Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, goditja e sportistëve, trajnerëve, arbitrave, ndërmjetësve sportivë, mjekëve do të dënohet me burg.

Kështu theksoi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

“Dhuna është një fenomen që ka vijuar të jetë shqetësim për njerëzit në krye të detyrës, politika fatkeqësisht në vend që ta luftojë dhunën me forcën e shembullit të saj e ka stimuluar atë, duke krijuar një klimë infektive. Domosdoshmëria për një përgjigje të prerë ligjore mbi dhunën ndaj të zgjedhurve e funksionarëve publikë që nga salla e parlamentit deri në çdo metër katror të Shqipërisë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dhunën ndaj punonjësve të policisë, që nga kundërshtimi me forcë i forcave të policisë deri tek prekja me gishtin e vogël të uniformës blu, dhuna ndaj bluzave të bardha, dhuna në aktivitete sportive në fushat e futbollit ku në vend të jepen shfaqjet e përbotshme të edukimit dhe argëtimit shoqëror jepen në vijimësi shembujt më të shëmtuar të dhunimit që shkon përtej fushës dhe futet në çdo shtëpi, do të adresohet pa asnjë ekuivok në paketën e re të ndryshmeve në Kodin Penal”.

Sipas tij, parashikimet aktuale në Kodin Penal siç tregojnë qartë gjithë këto fenomene edhe krahasimet me vende të BE nuk e garantojnë mjaftueshëm reagimin e domosdoshëm ndaj akteve të dhunës.

“Dispozita përkatëse për dënimin e këtyre fenomeneve ose ka mangësi ose janë fare të lehta ose nuk ekzistojnë. Ka nevojë të thuhet qartë e të përsëritet me këtë ndërhyrje sporti i goditjes së sportistëve të trajnerëve, arbitrave, ndërmjetësve sportive dhe gjithë opinionit publik përmes këtyre goditjeve do të dënohet me burgim”, tha Rama.

Kryeministri tha se “prekja e vijave të bardha të fushave të aktivitetit sportiv do të konsiderohet prekje e kapërcimit te vijës së kuqe të ligjit.

Për të gjitha ata që kanë nevojë për argumente, Rama tha se “ndëshkimet në Kodin tonë Penal në këtë paketë janë shumë më të buta sesa ndëshkimet e një vendi kampion të të drejtave të njeriut siç është Britania e Madhe. Në Britani këto shtrëngime i kthyen arenat e dhunës në arena futbolli”.

Kryeministri Rama foli edhe për neglizhencën në trajtimin mjekësor.

“Neglizhenca në trajtimin mjekësor, e cila kur rrezikon jetën e personit mund të kalojë sikur s’ka ndodhur asgjë, ndërsa kur shkakton vdekjen e personit nuk mund të mos i përgjigjet domosdoshmërisht për të penalizuar autorët. Nga ana tjetër paketa adreson edhe kërkesën e hershme të komunitetit për dekriminalizim të mjekimit të pakujdesshëm në raport me pasojat”, tha Rama.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat