Ministri Klosi: Apollo soli këtë vit 13 mijë turistë, synojmë të arrijmë 18 mijë

Shqipëria

Ministri Klosi: Apollo soli këtë vit 13 mijë turistë, synojmë të arrijmë 18 mijë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 12:55
Blendi Klosi

Apollo, agjencia më e madhe turistike nordike, zgjodhi Shqipërinë për të çelur sezonin e saj veror. Aktivitet rajonal, që një vit më parë u organizua në Greqi, ndërsa këtë vit, nisur edhe fakti që vjet për herë të parë, siguruan kontrata për të sjellë në Shqipëri turistët e parë nordikë, që zgjodhën ti kalonin pushimet e tyre, përgjatë bregdetit të Durrësit dhe Kavajës.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri Klosi, i cili shprehet optimist për turistët që pritet të vizitojnë Shqipërinë, gjatë këtij viti turistik, që sipas tij do të jetë edhe më i suksesshëm se ai 2018.

“Është shumë mirë që ne i themi të gjitha gjërat ashtu siç duhet, haptazi, por që kuptojmë që rritja është me 18% nga viti i kaluar, është një rritje përkon me rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve që vijnë në vendin tonë. Në vitin 2018, në Shqipëri kanë shkelur 6 milionë pasaporta të huaja pra janë 6 milionë vizitorë të huaj gjatë gjithë vitit dhe ku numri 13 mijë i gjithë vizitorëve të ardhur nga Apollo është një numër i konsiderueshëm, por ky numër tregon edhe tendencën, nga 13 mijë shkojmë në 18 mijë”, tha ministri Klosi, i cili theksoi se ky tregues duhet të na bëjë më të përgjegjshëm, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë me destinacionin tonë dhe sesa e gatshme është shoqëria shqiptare dhe hotelierët të presin me rregulla dhe standarde turistët, që pritet të mbërrijnë këtë vit, në vendin tonë.

“Konkurentët vëzhgojnë, analizojnë njëri-tjetrin, luftojnë për tregjet e reja, kërkojnë partneritet me më të mirët dhe mua më vjen shumë mirë që këtu në këtë takim ka hotelerierë që na nderojnë me hotelet që kanë bërë, qoftë Fafa Resort, Prestige, hotele të tjera që kanë në gjithë bregdetin e zonës së Golemit, Shkëmbit të Kavajës, Durrësit e kanë shndërruar këtë në një destinacion të rëndësishëm. Ne e dimë që kemi problematika me shërbimin, me higjenën, me mosplotësimin e atyre që ne themi me traditën tonë, me afatet, por nuk e harroj historinë e vjetshme kur avionët e Apollos mbëritën në Rinas dhe në një nga hotelet ku ata do të vinin, vazhdonin akoma të lyenin, me shpresën se kur të mbërrinin ata në Golem, do të thahej boja. Ata nuk e kuptojnë këtë, por ne kështu jetojmë. Prandaj, ne duhet ta kuptojmë që nëse duam të futemi si destinacion global, si konkurrent me Kroacinë, Greqinë, me Maltën, Qipron, vendet përreth, duhet të bëjmë gjërat sipas kontratës. Kjo është A-ja e biznesit që shqiptarët e kanë pranuar. Ne jemi përditë në sytë e kritikëve dhe është shumë mirë që gjërat thuhen hapur dhe ne përpiqemi të përmirësojmë”, tha ministri Klosi.

Apollo është prezente në Shqipëri, prej 4 vitesh, promotore e rëndësishme e Shqipërisë si destinacion turistik jo vetëm rajonal, por edhe Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat