Në treg ilaçi i ndaluar/ Hyn kontrabandë, përdoret për gjelat e detit

Shqipëria

Në treg ilaçi i ndaluar/ Hyn kontrabandë, përdoret për gjelat e detit

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:25
Foto

Shumë ligje ndalojnë përdorimin e kimikateve apo medikamenteve problematike në Shqipëri. Por ligjet thyhen nga kontrabanda. I tillë është rasti i një medikamenti që përdoret për gjelat e detit, por që në Europë është i ndaluar sepse shkakton dëme te njerëzit. Këtë medikament e gjen në shumë farmaci bujqësore në Shqipëri.

“Ne jemi çfarë hamë”. Top Channel ka denoncuar rregullisht problematikat që kanë të bëjnë më sigurinë ushqimore.

Pavarësisht kësaj në vendin tonë tregtohen medikamente kafshësh të rrezikshme dhe të ndaluara, të cilat futen kontrabandë. Dimetridazol 99% përdoret për të mjekuar një parazitoz në pulat e detit. Ky ilaç i rrezikshëm gjendet fare lehtë në farmacitë bujqësore të Tiranës. Mjafton të thuash dua ilaçe për merxhanet, dhe menjëherë farmacistë veterinare të jep këtë helm.

Dimetridazoli i jepet pulave të detit bashkë me ushqimin. Që ilaçi të shpërbëhet në trupin e shpendit duhet afërsisht 7 ditë.

Por një afat të tillë fermeri shqiptar jo gjithnjë e respekton. Ai e shet pulën e detit sapo gjen blerësint e parë.

Farmakologu Fejzo Selami, na tregon se vendet e Bashkimit Europian këtë medikament e kanë hequr nga qarkullimi disa dekada më parë.

“Është përdorur si parazitoz në pulat e detit, arrinte një efikasitet mbi 90% të pulës së prekur. Europa e ka ndaluar në vitin 1995, që do të thotë se automatikisht ky medikament nuk duhet të qarkullojë sepse dëmton konsumatorin e mishit shtazor, pra atë të mishit të pulës së detit”, tha Fejzo Selami, farmakolog.

Por sa i rrezikshëm është ilaçi për merxhane, ose i njohur ndryshme me emrin tregtar dimetridazol?

“Bën pjesë tek grupet e nitrozamitëve, dhe ka në përmbajtjen e vet mbetje farmaceotike NO2, që është kancerogjene. Nga referencat që janë bërë pikërisht për mbrojtjen e konsumatorit ky medikament jep çrregullime gjenetike dhe hormonale”, tha Fejzo Selam, farmakolog.

Ministria e Bujqësisë duhet të kryeje kontroll mbi produktet mjekësore veterinare, pasi depot e farmacisë veterinare dhe ato bujqësore janë të mbushura me helme që vënë në rrezik jetën e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat