Shtohen “milionerët e vegjël”, 9.050 paga mbi 2 milionë lekë

Shqipëria

Shtohen “milionerët e vegjël”, 9.050 paga mbi 2 milionë lekë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:27
Foto

Numri i qytetarëve që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë u rrit me 13 për qind vitin e kaluar, por në raport me totalin e të punësuarve, ai mbetet thuajse i papërfillshëm. Të dhënat bëhen publike nga Administrata Tatimore, e cila ka përpunuar deklaratat e të ardhurave të dorëzuara nga vet qytetarët.

Ligji shqiptar detyron çdo person që realizon të ardhura mbi 2 milionë lekë, ose 16 mijë euro në vit, të dorëzojë në Tatime deklaratën e të ardhurave vjetore. Në këtë dokument, individi deklaron të ardhurat që ka fituar për të gjithë vitin parardhës nga paga, qiratë e pronave, apo dividenti, pa përfshirë fitimin nga biznesi i vogël.

Sipas Tatimeve, për vitin e kaluar numri i “milionerëve të vegjël”, pra ata me të ardhura mbi 2 milionë lekë rezultoi 9.050 vetë, nga rreth 8.000 vetë që ishte për 2017-n. Në 3 vitet e fundit, numri i personave që fitojnë më shumë se 2 milionë lekë është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Por, ai sërish mbetet i ulët në raport me numrin total të të punësuarve.

Aktualisht, Shqipëria numëron 681 mijë të punësuar në total, pa përfshirë sektorin bujqësor. Kjo do të thotë se vetëm 1.3 për qind e të punësuarve i kanë të ardhurat më të larta sesa 2 milionë lekë në vit. Të paktën formalisht, pasi numri real i atyre që fitojnë mbi 2 milionë lekë në vit mendohet të jetë më i lartë për shkak të evazionit.

Sistemi tatimor në Shqipëri i takson në mënyrë progresive të ardhurat e individëve, me 3 shkallë të ndryshme tatimore: 0, 13 dhe 23 për qind. Kjo rrit rrezikun për evazion, pra që shumë individë të mos deklarojnë të ardhurat reale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat