Opozita bllokon 12 qarqe, mesazh për Ramën: Protestat do të përshkallëzohen

Shqipëria

Opozita bllokon 12 qarqe, mesazh për Ramën: Protestat do të përshkallëzohen

Më: 2 maj 2019 Në ora: 17:59

(E plotësuar) - 

Kreu i Partisë Demokratike, në fjalimin e tij përmbyllës të protestës së sotme të opozitës, ku u bllokuan akset kryesore rrugore në 12 qarqe për 2 orë, deklaroi se ky bllokim është “sakrificë” që i shërben zhbllokimit të rrugës së “Shqipërisë si gjithë Evropa”.

“Bllokimi i akseve rrugore është sakrificë, por është një investim për të zhbllokuar një rrugë tjetër: rrugën drejt sigurisë, rrugën e çlirimit nga krimi e korrupsioni, rrugën e Shqipërisë si gjithë Evropa”, theksoi Basha.

“Do t’i kthejmë shqiptarëve dinjitetin, mundësinë dhe lirinë. Mirënjohje e thellë për gjithçka keni bërë. Beteja vazhdon”, shtoi Basha.

Në Durrës protestuesit ndalojnë ambulancën

Kalimi i dy ambulancave njëra pas tjetrës, ka bërë që protestuesit e opozitës në Durrës të ndalojnë një të tretë.

Ata kanë pasur dyshime nëse autoambulanca ka pasur vërtetë të sëmurë brenda.

Është dashur ndërhyrja edhe e kryetarit të PD-së së Durrësit, Ferdinant Xhaferi, që i ka hapur rrugën ambulancës së tretë për të kaluar në këtë aks.

Image

***

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i është bashkuar protestës së opozitës prezent nga sheshi "Shqiponja".

Balliu u shpreh se protesta nuk ka një afat mbylljeje, por do t’i lihet në dorë qytetarëe, të cilët janë të revoltuar.

Ish-deputeti demokrat theksoi se Rama bën mirë të dëgjojë zërin e qytetarëve, në të kundër do të paguajë një çmim shumë të shtrenjtë dhe mos habitet kur t’i shohë qytetarët në derën e shtëpisë në Surrel.

Klevis Balliu: Protesta zgjat deri në momentin që duan qytetarët. Nuk ka afat. Atë e dinë qytetarët. Nuk është një protestë. Kjo është një mosbindje civile mbarëkombëtare. Do përshkallëzohet nëse qeveria nuk dëgjon zërin e qytetarëve. Kjo qeveri ka dështuar në cdo aspekt të saj. Sot qytetarët paguajnë më shumë taksa, por nuk kemi rritje rrogash. Në politikën kombëtare kemi një dështim të plotë të kësaj mazhorance. Nuk i hapen negociatat një qeverie që është e lidhur me krimin dhe shkatërron sistematikisht sistemin e demokracisë. 

Rama bën mirë të dëgjojë zërin e qytetarëve. Sepse nëse mendon të qëndrojë në këtë rrugë, jo vetëm nuk do tia arrijë, do paguajë një cmim shumë të lartë. Ne nuk do lejojmë votime dhe farsa elektorale. Nëse ky njeri do tentojë të kthejë zgjedhjet e Enver Hoxhës, do paguajë cmimin që i takon, mos habitet kur ti shohë qytetarët tek dera e Surrelit.

Paloka: Protestat do të përshkallëzohen

Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha sot se opozita do të vazhdojë të protestojë, ndërsa paralajmëroi se nëse kryeministri Edia Rama nuk tërhiqet, protestat do të përshkallëzohet.

“Kryeministri duhet të tërhiqet sa më parë. Të plotësojë atë kërkesë që sot nuk është vetëm e opozitës, por është gjithë qytetarëve shqiptarë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Ne do të protestojmë dhe do të kërkojmë ndryshim, sepse ajo që na pret është shumë më e keqe sesa qëndrimi dy orë në rrugë. Këto janë sakrifica të vogla që i kërkohen qytetarëve. Ky është një akt, një sinjal që jepet. Nëse Rama do të vazhdojë me arrogancë, qytetarët na kërkojnë me përshkallëzim të situatës”, tha ai.

***

Në Shqipëri ka nisur sot në mbrëmje një tjetër protestë, duke bllokuar sikundër ndodhi dhe javën e shkuar akset kryesore rrugore kombëtare të vendit. Por ndërsa një javë më parë, grumbullimet e mbështetësve të opozitës, ishin vetëm në 5 pika kyçe që paralizuan qarkullimin në akset që çonin drejt Tiranës, nga Veriu, Jugu dhe Juglindja e vendit, sot ato janë shtrirë në të 12 qarqet e vendit. Në disa raste, mbështetësit e opozitës kanë djegur dhe goma në vendet ku kanë bllokuar qarkullimin. Një ditë më parë, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se protesta e sotme “është një përshkallëzim i mosbindjes civile”.

Që prej muajit shkurt, kur vendoi të braktisë parlamentit dhe të heq dorë nga mandatet e deputetëve të saj, opozita ka organizuar 10 protesta, kryesisht para qeverisë dhe parlamentit, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare e cila sipas opozitës duhet të përgatisë kushtet për zgjedhje të parakohshme.

Partitë e opozitës kanë paralajmëruar gjithashtu se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve vendore më 30 Qershor. “Më 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Dhe opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës. Ka vetëm një opozitë dhe ajo jemi ne, e bashkuar me popullin, e bashkuar me njerëzit. Nuk do të lejojmë ,me asnjë formë, me asnjë çmim, krimin elektoral. Zgjedhje fallco, zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. Mos të lejojmë më krimin elektoral në asnjë qendër të vetëm votimi, por të luftojmë sy për sy e dhëmbë për dhëmbë për votën e lirë”, deklaroi zoti Basha javën e shkuar. Ai theksoi se “largimi i Ramës është një kusht i panegociueshëm” duke parlajmëruar se sipas tij “krijimi i një qeverie kalimtare është shansi i fundit për të shmangur përplasjen totale të popullit me klikën që sundon në mënyrë të paligjshme”.

Image

Nga ana e saj shumica po ashtu ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend të tërhiqet, dhe se zgjedhjet vendore do të mbahen në datën e caktuar. Edhe sot kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në grupin parlamentar socialist u shpreh se opozitës “i gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”.

Kryeministri tha më tej se “në demokraci askush është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë, apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje. Ndërsa për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai duke shtuar se “është e nevojshme që ne ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli, për t’i dalë borxhi deri në fund, jo ish ligjvënësve që e kanë votuar çdo nen të kapitullit dhe i njohin shumë mirë pasojat e çdo akti kriminal ndaj zgjedhjeve, por për t’i dalë borxhi kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet, duke shkuar pas berihait ditën e zgjedhjeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat