17 dispozita të reja në Kodin Penal, Manja: Duam edhe mbështetjen e opozitës

Shqipëria

17 dispozita të reja në Kodin Penal, Manja: Duam edhe mbështetjen e opozitës

Më: 3 maj 2019 Në ora: 20:14
Ulsi Manja

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, gjatë një interviste për “News 24” këtë të premte, është shprehur se ashpërsimi i Kodit Penal vjen si një kërkesë e një grupi deputetësh të Kuvendit dhe synon të marrë mbështetjen e 2/3-ve të votave.

“Paketa e ndryshimeve të Kodit Penal që politikisht i prezantoi Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është një set ndryshimesh të punuara nga një grup pune me ekspertë të paraqitura në bazë të rregullores së Kuvendit nga një grup deputetësh të PS”, tha Manja. “Është një paketë e domosdoshme masash penale që duhet adresuar në Kodin Penal dhe që ne si mazhorancë do tentojmë të marrim dhe votat e kolegëve të opozitës pasi duhet dhe shumicë e cilësuar votash”, shtoi Manja.

“Në fakt janë çështje teknike, por për ata që njohin strukturën, ato prekin strukturën e përgjithshme të Kodit Penal. Në total projektligji ka 23 nene, por që prek 30 dispozita të Kodit Penal. Është një ndërhyrje relativisht që prek goxha dispozita, 13 janë ekzistuese, ku shtohen apo rregullohen paragrafe, ndërsa 17 dispozita të tjera janë tërësisht të reja, pra shtohen vepra të reja penale. Nëse Kodi Penal ka 335 nene në fuqi, sot shtohen 17 të reja, pra veç 13 që ndryshohen nga kodi ekzistues, 17 janë të reja”, tha Manja.

“Kodi Penal nuk duhet parë vetëm si një moment juridik, por është dhe reflektim i një momenti politik, pra reforma në Kodin Penal është reformë politiko-juridike. Është nevoja, qasja politike, që marrëdhënie të caktuara shoqërore përpos mbrojtjes me masa të tjera ligjore, të japë dhe një mbrojtje të shtuar përmes politikave penale”, tha Manja.

“Kemi dhe depenalizim të veprës penale. Për shembull gabimi mjekësor hiqet nga Kodi Penal, por është futur një vepër tjetër penale, neglizhenca në trajtimin mjekësor. Kjo vepër trajton pasojat e trajtimit mjekësor dhe kur pasojat në jetën e pacientit janë të rënda, kemi dhe ashpërsim të dënimit nga gjobë deri në tri vite burg, në varësi të pasojës. Sa më e rëndë të jetë pasoja, aq më i lartë është dënimin për mjekun”, tha Manja.

“Ne synojmë që përveç legjislacionit bazik, që është në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe që i mbron këto marrëdhënie, ne përmes këtyre ndryshimeve synojmë të japim ca garanci shtesë, në drejtim të sigurisë sportive, shëndetësore, sigurisë ushqimore dhe mjedisore dhe këto dy të fundit janë dhe vepra që e vrasin në mënyrë të heshtur njeriun”, tha Manja.

“Po ashtu, ndryshimet në Kodin Penal sjellin garanci shtesë edhe për rendin publik dhe mbrojtjen siç duhet të funksionarëve publik, mjekëve, policisë së shtetit apo mbrojtjen e mjediseve sportive, ku ushtrojnë profesionet. Po ashtu ka te bëjë me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë BE, duke zbatuar për çështjet ushqimore dhe mjedisore me atë të BE”, tha Manja.

“Ne e kemi ekzistuese vepër penale bllokimin e qarkullimit të automjeteve të transportit, duke dënuar me gjobë apo burgim deri në tre vite. Por ne sot, kemi qartësuar bllokimin e rrugëve, duke i cilësuar nacionale dhe dytësore, pasi nuk mund të dënohen njëlloj. Prandaj kemi vendosur gjobë ose dënim deri në 3 vite burg për bllokimin e akseve nacionale dhe deri në dy vite për akset dytësore”, tha deputeti Manja.

“Shkelja e së drejtës së autorit tashmë cilësohet dhe si vjedhje e pronësisë intelektuale dhe do trajtohet nga Kodi Penal siç trajtohen vjedhjet e rëndomta, vjedhja e energjisë, etj. Por në paragrafin e dytë të ligjit, kjo vepër penale kalon në krim dhe dënimi është dhe më i ashpër, duke shkuar në më shumë vite burg”, tha Manja.

“Me Kodin e ri Penal nuk dënohet vetëm organizimi i paligjshëm i lojërave të fatit, por dhe lejimi i pjesëmarrjes në lojë të personave nën moshën 18 vjeç, si dhe dënohen dhe vetë lojtarët që marrin pjesë”, shton Manja.

Deputeti i PS tha se në hartimin e këtij pr/ligji kanë marrë pjesë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Komisioni i Ligjeve dhe ekspertë të shumtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat