Ku ngjasojnë dhe ku ndryshojnë Basha-Rama?

Shqipëria

Ku ngjasojnë dhe ku ndryshojnë Basha-Rama?

Më: 3 maj 2019 Në ora: 23:10
Analisti Lorenc Vangjeli dhe politologu Arjan Curi

Analisti Lorenc Vangjeli dhe politologu Arjan Curi ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në  emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan.

Aktualiteti politik dhe figurat e dy partive më të mëdha në vend, PS dhe PD ishin tema e mbrëmjes së sotme. “Ku ngjasojnë dhe ku ndryshojnë Lulzim Basha dhe Edi Rama?” ishte një nga pyetjet që drejtuesi i emisionit Arian Çani iu drejtoi të ftuarve, të cilët treguan sipas tyre ndryshimet dhe ngjashmëritë mes dy liderëve.

“Kanë një fëmijëri pothuajse të ngjashme për shkak të diferencës në moshë. Rama ka jetuar më gjatë nën komunizëm, ndërkohë që Basha e ka pasur fëmijërinë më tepër në kohën e krizës së thellë të komunizmit. Megjithatë vinin të dy nga Tirana, njëri nga Medreseja tjetri nga fillimi i Myslym Shyrit. Pak a shumë kanë kaluar në të njëjtin kalvar. Përgjithësisht është e njëjta tipologji e fëmijës së rritur nën komunizëm me ëndrrën për një kapele me yll në kokë, me një pushkë prej druri, me lojëra të vakëta, me një diferencë të Ramës. Kryeloja në këtë histori është arti. Rama pati një shans të kishte lapsa me ngjyra në atë kohë bardhë e zi”, tha Lorenc Vangjeli.

“Mbaj mend një intervistë të Bashës që kujtonte lodrat kineze nga fëmijëria e tij. Mendoj se fëmijëria e Ramës ka qenë ndryshe nga ajo e Bashës duke qenë se ka pasur të atin shumë afër nomenklaturës komuniste. Pra atij nuk i mungonin jo vetëm lapsat me ngjyra, por as ndonjë akses më i madh në kulturë apo art. Shihej si djali i Kristaqit kudo ku shkonte, gjë që reflektohet në jetën e tij. Rama ka një mbingopje, rehatllëk që i vjen nga fëmijëria. Rama ka qenë më i përkëdhelur se Basha, qoftë edhe në lodra. Basha ka pasur një fëmijëri normale si gjithë të tjerët. Bashës i del edhe sot e kësaj dite një stepje e gati gati frikë”, tha Arjan Curi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat