Ndryshimet e Kodit Penal/ 3 vjet burg kush bllokon rrugët

Shqipëria

Ndryshimet e Kodit Penal/ 3 vjet burg kush bllokon rrugët

Më: 4 maj 2019 Në ora: 07:51
Ilustrim

Zbardhet drafti me ndryshimet e plota që socialistët kërkojnë të bëjnë në 11 fusha të Kodit Penal. Gjithsej propozohen 23 ndryshime, ndër të cilat, propozohet që të dënohen personat që bllokojnë rrugët. Teksa opozita po e bën këtë çdo të enjte, qeveria e kërkon dënimin nga gjoba, deri në 3 vjet burg. Goditja për shkak të detyrës dënohet aktualisht me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet, ndërsa socialistët propozojnë që gjoba të hiqet fare, dhe dënimi të jetë vetëm me burg deri në 2 vjet për funksionarët e thjeshtë, 3 vjet kanosja e të zgjedhurve, 4 vjet kanosja e policëve dhe tre vjet kanosja e personelit shëndetësor. Ashtu siç kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar në goditjen për shkak të detyrës, do të përfshihen edhe të zgjedhurit e funksionarët publik, punonjësit e policisë dhe bluzat e bardha. Kush ngre dorë ndaj tyre për shkak të detyrës që përfaqësojnë, do të dënohen me burg nga 1 deri në 3 vjet heqje lirie. Kur kjo vepër penale kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën, dënimi shkon nga 3 deri në 5 vjet burg.

Dënimet për sigurinë ushqimore

Siguria ushqimore ka parashikimet më të ashpra. Deri më tani, një person që fuste lënë të ndaluar në ushqime, edhe në rast se nga kjo vdesin persona, dënohet nga gjoba deri në 10 vjet burg. PS propozon që në çdo rast kjo vepër të dënohet me burg, ndërsa kur nga këto veprime janë prekur fëmijë ose gra shtatzëna, të dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet. Ndryshimet në Kodin Penal kanë një kapitull të veçantë për dhunën në aktivitete sportive. Goditja ndaj njerëzve të sportit  dënohet me burgim nga një deri në tre vjet, e në rast përsëritjeje deri në pesë vjet. Burg parashikohet edhe për ata që hedhin sende në fushë apo hyjnë brenda saj, deri në 5 vjet. Prishja e qetësisë publike deri tani dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Socialistët parashikojnë që gjoba të jetë nga  njëqind mijë deri në një milion lekë, si dhe kjo vepër të dënohet në rrethana rënduese edhe me burgim deri në dy vjet. Armëmbajtja pa leje me Kodin Penal në fuqi dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Socialistët propozojnë rritjen e dënimit nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Sa i përket nenin 96 që më herët ka qenë mjekim i pakujdesshëm, në ndryshimet e reja, neni propozohet të quhet “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Neglizhenca në trajtimin mjekësor që shkakton vdekjen e pacientit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Ndërkohë që në nenin aktual, është nga gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Një nen i veçantë krijohet edhe për shkeljen e të drejtave të autorit, ku çdo vepër që  mbrohet nga e drejta e autorit dhe që shpërndahet pa pëlqimin e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, dhe nëse bëhet në bashkëpunim ose në mënyrë të përsëritur, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Neni 197 pëson ndryshim në themel, pasi tashmë lojërat e fatit ndalohen me ligj. Organizimi i lojërave të palejuara, siç janë garat sportive apo lojërat e fatit dënohet me burgim deri në tre vjet. Ndërkohë që me Kodin aktual Penal, kur Shqipëria nuk i kishte të ndaluara me ligj lojërat, Kodi penal parashikonte gjoba, ose me burgim deri në dy vjet në rast të përcaktimit të rezultateve në garat sportive apo shtrembërim të konkurrencës në këto aktivitete. Ndërsa më herët vepër penale konsiderohej vetëm ndotja e ajrit, në ndryshimet që propozojnë deputetët e mazhorancës, dënim me burg do të ketë edhe për ndotjen e tokës. Neni 201 ndryshon thuajse totalisht, ku dënimi maksimal nëse nga kjo vepër penale shkaktohet vdekja e një ose disa personave dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

Me kodin e vjetër, dënimi është deri në 10 vjet

Dënimi është mjaft i ashpër edhe nëse ndotja e ajrit apo në thellësitë e tokës nga shkarkime, apo futje në përdorim të materialeve me rrezatim jonizues dhe radioaktiv, apo lëndëve toksike bëhet në zona të mbrojtura me ligj: Ndëshkim me burgim deri në 5 vjet! Neni 202 pëson ndryshim të plotë, dhe i dedikohet specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër. Kush i vret, shkatërron apo tregton ato në shkelje të autorizimeve nga organet kompetente, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet. Kodi aktual e parashikonte vetëm me gjobë, por tashmë masat janë shtrënguar për të gjithë personat që mbajnë kafshë dhe i shoqërojnë ato në ambiente publike. Në rast se kafsha paraqet rrezik për njerëzit duke mos i vendosur maskën mbrojtëse, pronari do të gjobitet me gjobë nga 30 deri në 100 mijë lekë. Por në rast të plagosjes së rëndë të një personi, atëherë dënimi shkon në burg, nga 1 deri në 5 vjet. Këto janë propozimet e para, të cilat mund të ndryshojnë gjatë diskutimeve me grupet e interesit ose gjatë shqyrtimit në Kuvend. Ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë 84 vota, ndaj socialistëve ju duhen të paktën 5 vota nga opozita parlamentare.

Kanosja për shkak të detyrës

ISHTE

Gjobë ose me burgim gjer në 2 vjet

BËHET

Ndaj zyrtarëve të thjeshtë         burgim deri 2 dy vjet

Ndaj personave të zgjedhur      burgim nga një deri në 3 vjet

Ndaj punonjësit të policisë         burgim nga dy deri në 4 vjet

Ndaj profesionistit shëndetësor  burgim nga një deri në 3 vjet

BLLOKIMI I RRUGËVE

Nga gjobë, deri në 3 vjet burg.

NEGLIZHENCA NË TRAJTIMIN MJEKËSOR

ISHTE

Gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.

BËHET

Burgim deri në katër vjet

SIGURIA USHQIMORE

ISHTE

Gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

BËHET

Burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur preken fëmijët ose gratë shtatzëna Burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet

DHUNA NË SPORT

Goditja e njerëzve të sportit  Burgim nga një deri në tre vjet

Më shumë se një herë  Burgim nga një deri në pesë vjet.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës          Burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Hyrja në fushën e lojës                               Burgim nga një deri në tre vjet

Kur kryhet në aktivitetet ndërkombëtare    Burgim nga një deri në pesë vjet.

PRISHJA E QETËSISË PUBLIKE

ISHTE

Gjobë ose me burgim gjer në dy vjet

BËHET

Gjobë  nga  njëqind mijë deri në një milion lekë, ose me burgim deri në dy vjet.

ARMËMBAJTJA PA LEJE

ISHTE

Burgim nga tre deri në shtatë vjet.

BËHET

Burgim nga pesë deri në shtatë vjet

Kur kryhet më shumë se një herë burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet

Bashkimi Demokrat ankimon në Kolegj: Të çregjistrohet Bindja e Astrit Patozit

Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar kërkon ankimim në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ për regjistrimin në zgjedhje të partisë së Astrit Patozit, Bindja Demokratike dhe kërkon shfuqizimin e vendimit. Disa nga argumentet e paraqitura në Kolegjin Zgjedhor është se vërtetimi i gjykatës i paraqitur në KQZ nga Bindja Demokratike nuk ka marrë formë të prerë. “Duke futur në garë, në kundërshtim me ligjin për partitë dhe Kodin Zgjedhor, organizata politike të paregjistruara në Gjykatë, KQZ cenon kushtet e barabarta në zgjedhje dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor thotë qartë se “për të marrë pjesë në zgjedhje një parti duhet të paraqesë vërtetimin e regjistrimit në gjykatë”, gjë që Bindja Demokratike nuk e ka, sepse vërtetimi i paraqitur nuk është i formës së prerë”. PBDSH thotë se deri në 23 prill 2019, kur ishte afati i fundit për të dorëzuar kërkesat në KQZ, Bindja Demokratike nuk ekzistonte si parti, prandaj pranimi i saj në zgjedhje nga KQZ është i paligjshëm. Në të kaluarën, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë ndjekur një praktikë të ndryshme nga kjo që KQZ ka ndjekur për Bindjen me kryetar Astrit Patozi. “Në vitin 2013 dhe 2015, KQZ nuk ka pranuar të regjistrojë 2 parti në zgjedhje në kushte të njëjta me Bindjen Demokratike, duke argumentuar se sepse vendimi i gjykatës nuk kishte marrë formë të prerë përpara skadimit të afatit për dorëzimin e kërkesës në KQZ. Kolegji Zgjedhor e ka konfirmuar këtë qëndrim të KQZ në 26 prill 2013, për Partinë Civile, duke argumentuar se “pa marrë vendim të formës së prerë regjistrimi në gjykatë, kryetari i partisë së re apo të autorizuarit e tij, nuk ka tagër të paraqesin në KQZ kërkese për regjistrim”. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për zotin Astrit Patozi si kryetar i Bindjes Demokratike apo të autorizuarit prej tij, të cilët kanë dorëzuar kërkesë në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje përpara se vendimi i gjykatës për regjistrimin si parti të marrë formë të prerë”. Duke e konsideruar vendimin e KQZ të paligjshëm, PBDSH kërkon shfuqizimin e vendimit dhe çregjistrimin e Bindjes Demokratike.

Astrit Patozi: Basha ka frikë nga “Bindja Demorkatike”, prandaj mundohet ta largojë nga zgjedhjet

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, përmes një postimi në “Facebook” i kundërpërgjigjet kundërshtarit të tij Lulzim Bashës, pasi sipas tij fshihet pas kërkesës së PBDSH për ta çregjistruar këtë parti nga zgjedhjet. Ai thotë, se Basha ka frikë nga Bindja Demorkatike që e shikon si kundërshtare, dhe kërkon të mbrojë karrigen e tij. “Reagim pas kërkesës së një partie fantazëm për çregjistrimin e “Bindjes Demokratike” nga zgjedhjet. Lulëzim Basha është angazhuar seriozisht në betejën kundër BINDJES DEMOKRATIKE, tanimë duke u përpjekur ta pengojë atë që të marrë pjesë në zgjedhje.  Ndërkohë që për të gjithë demokratët shqiptarë kundërshtar mbetet Edi Rama dhe qeveria e tij, për Lulzim Bashën kundërshtar është BINDJA DEMOKRATIKE, pasi, me sa duket, atë e shikon si rrezik për karrigen e tij. Përdorimi i disa klubeve me maska për të shantazhuar BINDJEN DEMOKRATIKE, që ajo të shmanget nga gara, do të dështojnë ashtu siç dështoi edhe fushata qesharake e gjetjes së nënshkrimeve të parregullta, të cilat u mblodhën në një kohë rekord. BINDJA DEMOKRATIKE vazhdon t’i qëndrojë vendimit të saj për të garuar në çdo bashki të vendit, përveç atyre ku mund të rikandidojnë bashkiakë të djathtë në detyrë ose kandidatë të pavarur. Ajo është në një aleancë të gjerë me demokratët shqiptarë në gjithë vendin, përveç Lulzim Bashës, i cili ndjehet më i kërcënuar nga BINDJA, se sa nga Edi Rama”,-shkruan Patozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat