90 ditët e burgut të Martin Lekës; Gazetari i “Koha Jonë” kujton ngjarjen e çerek shekulli më parë: Dënim politik

Shqipëria

90 ditët e burgut të Martin Lekës; Gazetari i “Koha Jonë” kujton ngjarjen e çerek shekulli më parë: Dënim politik

Më: 4 maj 2019 Në ora: 15:19
Martin Leka

Çerek shekulli më parë gazetari i “Koha Jonë”, Martin Leka fitoi lirinë. Ai ishte dënuar me burg dhe si sot në 4 majin e 25 viteve më parë la qelinë. Martin Leka thotë se shkrimi në gazetë ishte sebepi, por në të vërtete sipas tij, dënimi ishte politik. Leka kujton se presioni ndërkombëtar e detyroi Presidentin e kohës, Berisha, për të lëshuar dekretin.

Si sot 25 vite më parë pas tre muaj në burg gazetari Martin Leka do të rifitonte lirinë. Burgosja erdhi si pasojë e një shkrimi në gazetën “Koha Jonë”, në Dhjetor të vitit 1994, ku tregohej se si qeveria e kohës përmes një urdhri të brendshëm sekret u hiqte ushtarakëve mbajtjen e armëve jashtë reparteve paçka se ligji i miratuar në Parlament ua lejonte.

Në një intervistë për Top Channel, Martin Leka, tregon arsyen e vërtetë të burgosjes.

“Shkrimi ishte sebepi, sepse “Koha Jonë” kishte një valë të gjerë persekucioni psikologjik, por edhe real. Ky ishte një akt i mirëfilltë politik që kishte lidhje me lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Një akt kundër lirisë së gazetës “Koha Jonë”. Aleksandri doli i pafajshëm dhe u lirua nga salla e gjyqit dhe unë u dënova me 2 vite e gjysmë burg”, tregon ai.

Muhamed Veliu: Cilat ishin akuzat ndaj jush?
“Ishte nxjerrja e sekretit shtetëror. Më pas në Gjykatën e Apelit që u zhvillua në prill, përsëri u dënova me një vit e gjysmë burg nga një trup gjykues i kryesuar nga Prel Martini, kryetari i Gjykatës së Apelit. U dënova prapë me të njëjtën sasi burgu, por tashmë me një akuzë të ndryshuar: Shpifje e fyerje, dhe iku akuza për sekret shtetëror”, përgjigjet ai.

Image

Kjo foto brenda në qeli është e vetmja dëshmi e ditëve në burg për Martin Lekën po jo i vetmi kujtim që dëshmon se edhe në Shqipëri megjithëse kishin fryrë erërat e demokracisë, atij nuk ia kursyen 90 ditë burg. Lirimi erdhi pas një dekreti nga presidenti i kohës Sali Berisha.

“Në një ditë të vetme, Sali Berishës i kanë shkuar në Presidencë 84 fakse që kërkonin lirimin e gazetarëve nga burg. Kështu që ishte një presion i madhe ndërkombëtar, Organizata Botërore e Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij, kryeministra, qeveri, shoqata nga të gjitha vendet e botës. Ai ishte në një presion të madh. Por në rastin e ditës së lirisë së shtypit, është gjetur dita si festë. Sepse ai kërkonte ta çonte këtë dekret në festat e nëntorit. Nuk mendoj se ishte çështje reflektimi, por ishte diçka e detyruar”, shprehet Martin Leka.

Image

Fotot e Martin Lekës në qeli dhe gjatë procesit gjyqësor në miniekspozitën me foto të historisë së “Koha Jonë”, ruhen me fanatizëm nga botuesi kësaj gazeta Nikoll Lesi.

“Ajo ka qenë një ngjarje shokuese për median e lirë. Ka bërë burg të padrejtë për lirinë e medias, fjalën e lirë, bashkë me Aleksandër Frangajn. Të dy ishin të dënuar me burg. Është një ngjarje që sa herë e kujtoj na bën të rithemi se lufta e medias së lirë, sidomos e gazetës “Koha Jonë”, e cila ishte e vetmja gazetë e kohës përballë frontit të pushtetit të kohës, ishte një betejë mes fjalës së lirë dhe pushtetit”, tregon Nikoll Lesi./tch/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat