Basha platformë për Arsimin e Lartë: Anulim i ligjit dhe rritje të investimeve

Shqipëria

Basha platformë për Arsimin e Lartë: Anulim i ligjit dhe rritje të investimeve

Më: 4 maj 2019 Në ora: 18:59
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi pasditen e së shtunës në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi pasditen e së shtunës në Tiranë, me pedagogë dhe përfaqësues të arsimit të lartë në vend, prezantoi platformën e PD për arsimin e lartë.

Basha tha se “Arsimi i lartë gjendet sot në krizën më të thellë dhe të rëndë në 29 vjet”, duke shtuar se “ka pasur një krizë të madhe në financim në arsimin e lartë”.

Sipas tij, që nga viti 2013, ka pasur gjithmonë dhe më pak investime në arsim të lartë. “Buxheti për Arsimin e Lartë nuk shkon për infrastrukturë universitetesh, por për të rregulluar zyrën e ministrit të Arsimit dhe zyrave qendrore të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve”, tha Basha.

Duke vënë në dukje planin e PD për të zhvilluar më tej arsimin e lartë në Shqipëri, ai tha se “qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji, etj..”

“Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri ka ardhur dhe është bërë real. Një vend në zemër të Europës nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Kemi një mundësi të lëmë prapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në vendin tonë. Është njësoj si mundësia që shfrytëzuam pas futjes së teknologjisë së celularëve. Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës”, tha kreu i PD-së.

Basha tha se me ardhjen e tij në pushtet, do të anulojë menjëherë ligjin për Arsimin e Lartë.

“75 milion dollarë, në dispozicion për Arsimin e Lartë. 38 mln dollarë për të financuar tarifat universitare të universitetet publike, ku studentët që vijnë nga një familje me më pak se 640 mijë lekë (të vjetra) do ta përfitojnë të plotë subvencionin e tarifave të Bachelor dhe Master. Për ato që kanë të ardhura mbi 640 mijë lekë (të vjetra) do të subvencionohen në masën 50%”, tha ndër të tjera Basha. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat