Shkon në 84 numri i personave të helmuar nga uji i pijshëm, në Bulqizë.
Burime për RTV Ora bënë me dije se 54 prej tyre janë të moshave të rritura dhe 24 janë fëmijë.
Ditën e djeshme të paktën 30 persona përfunduan në spital. Ata u paraqitën në spital me marrje mendësh dhe të vjella.
Banorët e lagjes së 'Qytetit të Vjetër' janë lajmëruar të mos konsumojnë ujë nga çezma.
Monstrat e ujit të pijshëm janë dërguar për analiza në Tiranë.
Korrespondenti i RTV Ora në Bulqizë, Arjan Zefi raportoi dje se situata ishte nën kontroll dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është e normalizuar, por nëse do të ketë komplikacione, ata do të dërgohen në spitalin e Peshkopisë ose në Tiranë.
Banor: “Prej tre ditësh uji nuk është i pijshëm, nuk konsumohet, ka shije të keqe. Fëmijët i kemi dërguar në spitale por nuk dimë sesi do shkojë kjo punë.”
Ndërkohë Ndërmjarrja e Ujësjellësit në Bulqizë ka deklaruar se janë marrë analizat dhe janë dërguar në laborator, por do të duhet 48 orë për të marrë përgjigjet.
Rrjeti i ujësjellësit në Bulqizë është bërë vite më parë dhe tubacionet janë të amortizuara.