Helmimi i dhjetëra qytetarëve në Bulqizë, ISHP: Mos e konsumoni ujin

Shqipëria

Helmimi i dhjetëra qytetarëve në Bulqizë, ISHP: Mos e konsumoni ujin

Më: 6 maj 2019 Në ora: 16:07
Helmimi i dhjetëra qytetarëve në Bulqizë

Instituti i Shëndetit Publik i ka dhënë fund dilemave dhe kundërshtimeve që i bënë mjekëve, zyrtarët vendorë, duke pohuar se helmimi i dhjetëra banorëve ka ardhur nga uji dhe u bën thirrje që të mos e konsumojnë atë pasi dyshohet të jetë i kontaminuar.

Rovena Daja, epidemiologe e ISHP, pohoi sot se “kjo rritje shumë e lartë e numrit të rasteve për një periudhë  të shkurtër kohe tregon që ndoshta kemi si shkaktar ujin”. Ndaj ajo i bën thirrje banorëve të Bulqizës të mos konsumojnë ujë nga rrjeti pasi ai mund të jetë i kontaminuar.

Përgjigjet e analizave të personave të helmuar ende nuk kanë dalë, por dyshimet e specialistëve bien mbi ujin.

“Duhet të themi që lagjja e vjetër e Bulqizës konsumon kryesisht ujin e rrjetit. Uji është e vetmja gjë e përbashkët që i lidh ata. Mendojmë se ai mund të jetë shkaktari i mundshëm i këtij shpërthimi. Ne për momentin i kemi udhëzuar që uji të mos konsumohet në mënyrë që të mos kemi raste të reja”, – tha zonja Daja.

Edhe për mjekët e spitalit te Bulqizës nuk ka asnjë dyshim. Pas më shumë se 100 raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ata janë të bindur që helmimi ka ardhur nga uji i pijshëm.

Në Bulqizë situata nuk është aspak e mirë. Ka nga ata banorë që nuk pranojnë të shkojnë në spital dhe pse kanë shqetësime.

Alarmi për helmimin e popullatës u dha te shtunën në mbrëmje. Të gjithë banorët e lagjes së sipërme të qytetit, ose njohur ndryshe si qyteti i vjetër i Bulqizës, u helmuan.

Fëmijë dhe të rritur njeri pas tjetrit përfunduan në urgjencë me dhimbje barku, të vjella e këputje.

Mjeku Shahin Kaja, tha se rreth të sëmurët vinin kryesisht nga “Lagjja e Vjetër”.

“Nisur nga ky fakt dhe duke qenë se nuk ka pasur ndonjë dasëm apo ndonjë festë, dyshojmë që helmimi mund të vijë nga uji i pijshëm”, tha Kaja. Megjithatë ai tha se sindromat e helmimit ishin të lehta dhe jo problematike.

“Fakti që shumica dërrmuese e të sëmurëve vinin nga e njëjta zonë e qytetit dhe se fluksi ishte shtuar, pa pasur ndonjë arsye tjetër krijon bindjen se kemi helmim nga uji”, – tha Dr.Kaja.

Ka dyshime ende jozyrtare, që uji të jetë infektuar nga gazrat e çliruar gjate shpërthimeve me tritol në galeritë e kromit. Megjithatë priten përgjigjet përfundimtare të analizave për të parë çfarë ka ndodhur në Bulqizë. Nga ana tjetër në qytet po shpërndahen fletushka ku u bëhet thirrje banorëve të mos përdorin ujin e ujësjellësit por i kërkojnë bashkisë t’i furnizojë me autobote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat