KPK ndahet në lidhje me vendimin për ish-kryeinspektoren e KLD-së. Shkak humbja e…

Shqipëria

KPK ndahet në lidhje me vendimin për ish-kryeinspektoren e KLD-së. Shkak humbja e…

Më: 6 maj 2019 Në ora: 17:40
Foto ilustrim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është ndarë në vendimin për Marsida Xhaferrllarin, që e konsideroi këtë të fundit pa statusin e magjistratit.

Tashmë, ish-Kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u hetua administrativisht nga KPK, nuk mori një vendim shkarkimi apo konfirmimi, pasi, sipas Komisionit, kishte humbur statusin e magjistratit.

Anëtarja e treshes Xhensila Pine ka qenë kundër këtij përfundimi, ndërsa kryesuesja e trupit Firdes Shuli dhe relatori Roland Ilia kanë vendosur me shumicë vote që Xhaferrllari nuk është subjekt rivlerësimi, për shkak të shkëputjes nga gjyqësori për një kohë të gjatë.

Fillimisht, e paraqitur si një gjetje e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, KPK, pas hetimit, e konsideroi të drejtë gjetjen e ndërkombëtarëve. Duke iu referuar një ligji të vitit 2008, ku parashikohej se gjyqtarët që shërbejnë jashtë gjyqësorit brenda 3 vitesh duhet të kthehen në sistem për të mos humbur statusin.

“Ligji nr. 9877/2008, parashikon një maksimum prej 3 vjetësh për gjyqtarët që shërbejnë në strukturat jashtë gjyqësorit, periudhë pas së cilës ata duhet të kthehen në pozicionet e tyre të mëparshme, ndërsa ligji i mëparshëm nr. 8436/ 1998, nuk parashikonte asnjë afat kohor për gjyqtarët që shërbenin jashtë pushtetit gjyqësor. Subjekti kurrë nuk u kthye në strukturat e gjyqësorit dhe asnjëherë nuk paraqiti asnjë kërkesë për t’u kthyer në pozicionin e saj të mëparshëm, që nga dhjetori 2007 dhe deri më sot“, argumenton KPK.

Më tej, në vendim argumentohet se statusin Xhaferrllari e ka humbur që në vitin 2011 dhe se nuk ka qenë e nevojshme, as ndonjë vendim i KLD-së, për kthimin e tij. “Në mars të vitit 2008, ligji vendosi afat 3-vjeçar për gjyqtarët që shërbejnë në strukturat jashtë gjyqësorit. Duke qenë se në ligjin nr. 9877/ 2008 nuk ka dispozita kalimtare në lidhje me këtë afat, afati bëhet i zbatueshëm menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit. Kjo do të thotë se afati për të shërbyer jashtë strukturave të gjyqësorit, duke ruajtur njëkohësisht statusin e gjyqtarit, për subjektin e rivlerësimit ka përfunduar në muajin mars të vitit 2011. Si pasojë e kësaj, subjekti i rivlerësimit e ka humbur ex lege, statusin e gjyqtarit. Nuk ka qenë e nevojshme gjithashtu dhënia e ndonjë vendimi konstitutiv të KLD-së, për t’i rikthyer statusin”, shkruhet në vendim.

KUNDËRSHTIMET

Por, për Xhaferrllarin, një argumentim i tillë nuk qëndron, pasi, sipas saj, efekti prapaveprues i ligjit të ri, lidhur me afatin maksimal të zbatueshëm për ruajtjen e statusit, shkel parimin themelor të sigurisë juridike dhe krijon ndryshim përkeqësues për të. Më tej, Xhaferrllari ka pretenduar se ruajtja e statusit të saj mbështetej ndër të tjera edhe në ligjin për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku nuk parashikohej një afat për shërbimin jashtë gjyqësorit.

“Sipas subjektit të rivlerësimit, ruajtja e statusit të magjistratit/gjyqtarit mbështetej edhe në ligjin për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas subjektit të rivlerësimit, ky ligj nuk përmban ndonjë afat për shërbimin jashtë gjyqësorit. Për pasojë, sipas subjektit të rivlerësimit, ajo e ka ruajtur statusin e gjyqtarit”, shkruhet në vendim.

Por Komisioni i hedh poshtë këto pretendime, pasi argumenton se ligji për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë nuk mund të bëjë rregullime mbi statusin e gjyqtarit dhe se ky ligj rregullon organizimin e një pjese të organeve të pushtetit ekzekutiv në Republikën e Shqipërisë. Duke pasur parasysh ndarjen e pushteteve në Kushtetutën e Shqipërisë, ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor është ai që rregullon statusin e gjyqtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat