Soreca: Europa shtëpia e të gjithëve, 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE

Shqipëria

Soreca: Europa shtëpia e të gjithëve, 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE

Më: 6 maj 2019 Në ora: 18:20
Luigi Soreca

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca,prezantoi programin e Javës së Europës 2019, në prani të Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, Ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Nga data 6 deri më 11 maj, në 11 qytete të Shqipërisë, ngaVeriu në Jug, do të zhvillohet një gamë e gjerë veprimtarish, me focus te fuqizimi i të rinjve.

“Nuk mund ta fsheh lumturinë time për hapjen e Javës së Evropës 2019 sot, këtu në mjediset tona të reja. Komunikimi rreth BE-së nuk është proces i njëanshëm, nga BE-ja tek shqiptarët. Ai është një dialog mes të barabartëve dhe ne jemi këtu për të dëgjuar. Shtëpia e Europës është hapësira e Delegacionit të BE-së, e Shteteve tona Anëtare, por para së gjithash, dëshiroj që ajo të bëhet shtëpia e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Soreca.

Më tej ai shtoi se për të përgatitur Javën e Evropës 2019, Delegacioni i BE-së është angazhuar me shkollat, universitetet, organizatat e rinisë dhe fëmijëve për të krijuar hapësirat e dialogut.

“Shpesh thuhet se të rinjtë nuk janë të interesuar. Kjo nuk është ajo çka kam parë që kur kam mbërritur në Shqipëri. Çdo ditë unë takoj të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, shumë të përkushtuar dhe plot me iniciativa. Java e Evropës 2019 do t’u japë meritat të rinjve që dalin vullnetarë dhe janë të përkushtuar për të ndihmuar komunitetin e tyre Është prekëse të shohësh se ndjenja dominuese ndaj BE-së në Shqipëri është ende jashtëzakonisht positive”, tha ai.

Sipas Sorecës, “88% e qytetarëve theksojnë se kanë një opinion pozitiv për BE-në. Vetëm 4% e qytetarëve pohojnë se kanë një qëndrim negativ ndaj BE-së. Si pasojë, pothuajse 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Këto shifra na japin një mandat shumë të fortë, por edhe një përgjegjësi të fortë kundrejt popullit shqiptar. Kjo tregon se me gjithë diskursin kundër BE-së, njerëzit gjithnjë e më shumë e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e projektit evropian, brenda dhe jashtë BE-së”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat