Austria do të lobojë pro çeljes së negociatave me Shqipërinë në qershor

Shqipëria

Austria do të lobojë pro çeljes së negociatave me Shqipërinë në qershor

Më: 6 maj 2019 Në ora: 18:55
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vazhdon lobimin me parlamentet e shteteve të BE-së për hapjen e negociatave. I ftuar nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfang Sobotka, Ruçi filloi sot një vizitë zyrtare në Vienë.
Në këtë vizitë Kryetari i Kuvendit shoqërohet  nga Kryetari i grupit Parlamentar të PS,  Taulant Balla, deputeti Fate Velaj dhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo.
Takimin e parë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe delegacioni që e shoqëron e zhvilluan me një grup të zgjeruar deputetësh anëtarë të Komisionit për Politikën e Jashtme, Nënkomisionin për BE dhe Grupin e Miqësisë të Parlamentit të Austrisë, të kryesuar nga deputeti Reinhold Lopatka, Kryetar i Nënkomisionit për BE-në në Parlamentin e Austrisë.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, falënderoi parlamentarët e Komisionit të Jashtëm, Nënkomisionit për BE-në dhe Grupin e Miqësisë për vëmëndjen ndaj Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj europian si edhe për faktin që janë bërë promotorë të mbështetjes së çeljes së negociatave me vendin tonë.
“Shqipëria, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi, ka një përputhshmëri 100 përqind të politikës së saj të jashtme me politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe ka një rol proaktiv për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. “Zgjerimi i BE-së  drejt Ballkanit Perëndimor do të nxiste më tej përkushtimin dhe angazhimin tonë ndaj reformave dhe do të ndihmojë për të rritur rolin konstruktiv të Shqipërisë si një lider  për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Ruçi.
“Ballkani Perëndimor nuk është një problem më shumë, por një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian. Politikat hezituese të BE-së ndaj zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor mund tu shërbejnë interesave të palëve të treta, jo europiane dhe mund të devijojnë perspektivën europiane të rajonit. Përsa i përket Shqipërisë, ne i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, në të pesë prioritetet kyçe që rekomandoi Këshilli Europian dhe jemi këtu për të kërkuar avokatinë e Austrisë për hapjen e negociatave në qershor”, shtoi ai
Kryetari i Nënkomisionit për BE-në në Parlamentin e Austrisë, Reinhold Lopatka, nënvizoi se qëndrimi i Austrisë nuk është sekret. “Ne mbështesim fuqimisht hapjen e negociatave me Shqipërinë në qershor 2019. Të gjitha grupimet politike në Parlamentin e Austrisë janë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë. Austria po shërben si një urë për të bashkuar Bashkimin Europian me Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Deputetë të pranishëm në takim drejtuan disa pyetje në lidhje me bashkëpunimin midis të dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Reformën në Drejtësi, ndryshimet e fundit në Qeveri si edhe protestat e opozitës.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, nënvizuan se midis Ministrive të Brendshme dhe Ministrive të Drejtësisë të  Shqipërisë dhe Austrisë ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer dhe produktiv. “Shqipëria ka pranuar me vullnet të plotë prezencën e forcave ligjzbatuese të Austrisë në territorin e saj, për të garantuar zbatimin e prioriteteve në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve. Reforma në drejtësi, pavarësisht kostove dhe vështirësive që ka krijuar në funksionimin e disa organeve të drejtësisë, jo vetëm do të ndërtojë një sistem drejtësie të pastër dhe në shërbim të qytetarëve, por po i hap rrugën edhe reformave në sektorët e tjerë. Ndryshimet e fundit në Qeveri u bënë jo për shkak të implikimit në korrupsion, por për t’i dhënë impulse të reja qeverisjes dhe realizimit të reformave. Përsa i përket protestave, ato nuk janë protesta popullore për shkak të keqqeverisjes, por protesta politike të nxitura e të udhëhequra nga partitë e opozitës, të cilat dorëzuan mandatet e deputetëve dhe po organizojnë manifestime e bllokim rrugësh. Nga ana tjetër, vendet e lëna bosh nga deputetët e opozitës po zihen nga deputetë të listave të pritjes së partive opozitar. Deri tani janë plotësuar mbi gjysma e vendeve dhe po vazhdon marrja e mandateve prej deputetëve të rinj të partive të opozitës”, thanë ata.
Lopatka dhe parlamentarët austriakë të pranishëm në takim premtuan se do të shumëfishojnë përpjekjet dhe kontributin e tyre në lobimin për çeljen e negociatave dhe zgjerimin e fuqizimin e bashkëpunimit midis Parlamentit të Austrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në takimin e me Presidentin e Këshillit Federal (Senatit) të Austrisë, Ingo Appé, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira dhe intensive midis të dy vendeve dhe nënvizoi se Austria është një vend mik, ndër katër partnerët strategjikë, mbështetësit më të fuqishëm të integrimit dhe “avokate” e çeljes së negociatave me Shqipërinë.
Ruçi shprehu konsideratën maksimale të Shqipërisë për “qasjen objektive, inteligjente, realiste dhe të drejtë të Austrisë ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, e cila u konstatua edhe në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së, mbajtur në 8-9 prill në Vienë, për organizimin e shkëlqyer të së cilës Kryetari i Kuvendit përgëzoi Presidentin Appé.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e reformës së sistemit të drejtësisë dhe vettingut, nën mbikëqyrjen e misionit ndërkombëtar të monitorimit, ku Austria ka luajtur një rol drejtues.
“Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera në adresimin e pesë prioriteteve kyçe, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Perspektiva e anëtarësimit në BE, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Ruçi, ka pasur efekte të fuqishme transformuese dhe ka sjellë ndryshime pozitive demokratike, politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Vendimi për çeljen e negociatave do të përbëjë një mundësi për të treguar vullnetin e BE-së për të ruajtur e forcuar perspektivën evropiane dhe angazhimin familjes europiane me popullin shqiptar dhe popujt e rajonit. Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm jo vetëm se nxit proceset e brendshme reformuese të vendeve kandidate, por edhe sepse garanton sigurisë, kohezionin dhe të ardhmen e Evropës. Hapja e negociatave nuk është një dhuratë, por një meritë e Shqipërisë, e cila i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë”, tha Appé
Kryetari i Kuvendit Ruçi e informoi Presidentin e Senatit Appé edhe mbi situatën politike në Shqipëri, duke theksuar përpjekjet dhe gatishmërinë e maxhorancës parlamentare dhe të qeverisë për dialog politik, bazuar në bashkëpunimin e sinqertë dhe produktiv për realizimin e reformave integruese, si reforma në sistemin e drejtësisë, vetting-u, ngritja dhe plotësimi i organeve të qeverisjes së sistemit, reforma zgjedhore etj.
Presidenti i Senatit të Austrisë, Ingo Appé, falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, për vlerësimin e mbështetjes nga Austria të progresit dhe proceseve integruese në Shqipëri dhe vuri në dukje se kjo mbështetje do të vazhdojë. “Austria do të lobojë me vendet skeptike për të krijuar bindjen e tyre mbi arritjet e Shqipërisë në realizimin e rekomandimeve të Këshillit Europian”, premtoi Presidenti Appé.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Presidenti i Senatit Ingo Appé biseduan edhe mbi disa aspekte të bashkëpunimit ekonomik midis të dy vendeve dhe nxitjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Kryetari Ruçi e ftoi presidentin e Senatit Appé për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat