Tabaku: FMN si opozita, shqetësim për përqendrimin e pushtetit ekonomik te kryeministri

Shqipëria

Tabaku: FMN si opozita, shqetësim për përqendrimin e pushtetit ekonomik te kryeministri

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:41
Jorida Tabaku

Duke iu referuar raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të prezantuar një ditë më parë, ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku, u shpreh se diagnoza që FMN ka për ekonominë shqiptare: është një ekonomi që pasuron një grusht njerëzish pranë pushtetit, që punon për pakicën dhe jo për shumicën.

Më tej ajo shton se edhe FMN ka shprehur shqetësim për përqendrimin e pushtetit ekonomik në duart e kryeministrit.

“FMN, njësoj si opozita, shprehu shqetësim për përqendrimin e pushtetit ekonomik në duart e kryeministrit. Një tjetër ligj klientelist dhe aspak dobiprurës për xhepat e shqiptarëve është ligji i Korporatës së Investimeve”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se “Alternativa e PD për shqiptarët është konkurrencë e lira, mundësi të barabarta për të gjithë, duke aplikuar taksa të ulëta dhe duke krijuar një klimë miqësore për biznesin”.

Deklarata e plotë e Jorida Tabakut
Ekonomia në Shqipëri është përkeqësuar dhe përgjegjëse për këtë janë politikat e padrejta, klienteliste dhe korruptive të qeverisë. Ky është konkluzioni i përmbledhur me pak fjalë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ndan të njëjtin shqetësim me opozitën se rritja e borxhit publik, ulja selektive e taksave për bizneset e disa oligarkëve dhe PPP-të korruptive kanë dobësuar ekonominë, duke ndikuar për keq në çdo familje që nuk është në biznes me qeverinë.

Në mënyrë të përsëritur, Partia Demokratike ka faktuar se në qeverinë Rama rritja ekonomike është në mëshirën e reshjeve të shiut. Këtë konfirmoi edhe FMN-ja, e cila parashikon këtë vit rënie të ekonomisë për shkak të thatësirës.

Borxhi i lartë publik është një faktor në dobësimin e ekonomisë dhe po ndiqet me shqetësim si nga Fondi, ashtu edhe nga opozita. Që në fillim, ne kemi ngritur zërin se përdorimi i keq i borxhit të ri të marrë nga qeveria në investime pa ndikim pozitiv në ekonomi, si dhe mungesa e investimeve të huaja të reja, janë bërë pengesë për rritjen ekonomike.

Me një borxh ekonomik në kufijtë e 70% të PBB-së, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë se ka shteruar pothuajse çdo mundësi tjetër për të marrë borxh. Në mungesë të investimeve të reja, me paaftësinë dhe vendimet korruptive, qeveria e ka çuar ekonominë e vendit në një udhëkryq të rrezikshëm.

Detyrimi i prapambetur prej 300 milionë euro, që qeveria i ka biznesit sot, është një nga pikat e dobëta, që ndikon për keq në ekonomi. Pavarësisht se qeveria ka gënjyër, e ka fshehur dhe nuk e ka raportuar këtë të dhënë, FMN e tha qartë se detyrimi prej 300 milionë euro është pjesë e borxhit të rritur publik.

Problem real sot është dhe rimbursimi i TVSH që llogaritet të ketë shkuar në 120 mln Euro, kryesisht duke penguar dhe dy investitorët më të dhëdhenj TAP dhe Devoll në investimet e tyre.

Gjendja ekonomike e biznesit dhe mbi të gjitha gjendja e arkës së shtetit është edhe më e varfëruar. Sipas FMN një nga rreziqet e radhës për Shqipërinë janë politikat fiskale kompromentuese që zvogëlojnë bazën tatimore. Ajo paralajmëron qeverinë se një politikë fiskale me qoka karshi oligarkëve është e dëmshme për ekonominë.

Politikat fiskale selektive të cilat kanë ndihmuar një grusht njerëzish kanë stimuluar informalitetin dhe kanë rënduar 97% të Shqiptarëve janë pengesa kryesore në ekonomi.

Ne kemi denoncuar politika të tilla që fillojnë një nga akciza mbi plastikën, paketa selektive e turizmit që dëmton biznesin e vogël familjar e deri tek taksa shtesë mbi rërën bituminoze të cilat janë qartësisht në ndihmë të një ose disa biznesve.

Koncesionet dhe PPP-të korruptive ishin një tjetër element negativ i evidentuar nga FMN. Ndryshe nga sa propozon qeveria, PPP-të e shumta, pa ndikim pozitiv në ekonomi, kanë krijuar një rrezik të vazhdueshëm në buxhetin e shtetit.

Investimet në infrastrukturë, që hapin vende pune dhe nxisin ekonominë, vazhdojnë të pakësohen çdo vit, sepse qeveria paguan 1.7 miliard euro ose 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për faturat e PP-vë që kanë shkuar tek një grusht oligarkësh të lidhur me qeverinë e Edi Ramës.

Një tjetër ligj klientelist dhe aspak dobiprurës për xhepat e shqiptarëve është ligji i Korporatës së Investimeve. FMN, njësoj si opozita, shprehu shqetësim për përqendrimin e pushtetit ekonomik në duart e kryeministrit. Ky ligj personal e kthen atë në pronar de facto të pasurive publike, duke i dhënë të drejtën t’ia japë atë kujt klienti të dojë, pa dhënë asnjë llogari.

Diagnoza që FMN ka për ekonominë shqiptare është se ajo vuan nga sëmundja e rrezikshme: është një ekonomi që pasuron një grusht njerëzish pranë pushtetit, që punon për pakicën dhe jo për shumicën.

Kura e vetme për këtë situatë është beteja e sinqertë përballë oligarkisë dhe qeverisë që ka prodhuar këtë gjendje. Partia Demokratike është vendosur ta vazhdojë këtë betejë dhe ta çojë deri në fund. Alternativa jonë për shqiptarët është konkurencë e lira, mundësi të barabarta për të gjithë, duke aplikuar taksa të ulëta dhe duke krijuar një klimë miqësore për biznesin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat