Sobotka: Mbështesim çeljen e negociatave, do të investohemi të bindim euro-skeptikët

Shqipëria

Sobotka: Mbështesim çeljen e negociatave, do të investohemi të bindim euro-skeptikët

Më: 7 maj 2019 Në ora: 17:05
Pamje nga takimi

“Austria mbështet fuqishëm integrimin në Bashkimin Europian të Ballkanit Perëndimor dhe fillimin sa me shpejt të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ne do të investohemi për të bindur edhe vendet skeptike”.

Kështu deklaroi sot Presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili priti në një takim kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri.

Sobotka theksoi se Austria vlerëson si sukses të madh të Shqipërisë Reformën në Drejtësi dhe Vetingun.

“Bravo Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në 2020 dhe i uroj ta kurorëzojë me sukses këtë sfidë! Unë jam i bindur se ju, si një politikan me eksperiencë, do të kontribuoni në përballimin e sfidave të sotme të demokracisë shqiptare”, u shpreh presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Nga ana e tij, Ruçi vlerësoi angazhimin institucional dhe personal të presidentit Sobotka, si një nga mbështetësit më të fortë të integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, në BE.

“Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor do të nxisë më tej përkushtimin ndaj reformave dhe do të ndihmojë për të rritur rolin tonë konstruktiv në rajon. Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera në adresimin e pesë prioriteteve kyçe, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tashmë është momenti që përkushtimi për reforma të shpërblehet”, tha Ruçi.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor, sipas tij, është një vlerë e shtuar për vetë familjen europiane.

“Ne i kërkojmë Austrisë të bëhet avokate e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë ”, vuri në dukje kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deputeti Fate Velaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat