Nikolla: Zgjedhjet në datën e caktuar, opozita po lobon për një imazh negativ

Shqipëria

Nikolla: Zgjedhjet në datën e caktuar, opozita po lobon për një imazh negativ

Më: 7 maj 2019 Në ora: 17:49
Lindita Nikolla

Deputetja e Partisë Socialiste në cilësinë e drejtueses për qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla ka komentuar vendimin e opozitës jo vetëm për djegien e mandateve, por edhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të qershorit.

Në një intervistë televizive, Nikolla tha se edhe pse vendi aktualisht gjendet në një situatë me dilema politike, ajo çka sipas saj mbetet e gabuar është qasja e opozitës për djegien e mandateve dhe bllokimin e rrugëve.

“Jemi në një situatë me dilema politike, sepse opozita ka zgjedhur të vetëdigjet. Ajo ka kuptuar tashmë që nuk është e aftë të ngrejë një frymë popullore dhe të mbledhë në Tiranë shumicën e njerëzve dhe ka zgjedhur të bllokojë disa rrugë të rëndësishme kombëtare, me një grupim të vogël njerëzish”, tha Nikolla.

Më tej, deputetja e cilësoi groteske faktin që opozita flet në emër të njerëzve ndërsa shkakton probleme duke bllokuar lëvizjen e njerëzve.

“Edhe njëherë është groteske të thuash që një parti apo parti opozitare që gjithë ditën flasin për njerëzit e thjeshtë, për fëmijët, për biznesin e vogël të arrijnë në këtë mënyrë që të bllokojnë rrugët hyrëse të qyteteve tona duke bllokuar lëvizjen, duke shkaktuar stres tek qytetarët dhe pse jo duke bllokuar turizmin dhe biznesin”.

Nikolla preku edhe faktin që Shqipëria pret hapjen e negociatave pa kushte, për të cilën ajo tha se opozita është duke lobuar për një imazh negativ të vendit tonë.

“Ne jemi në një moment të rëndësishëm që lidhet me hapjen e negociatave. Jemi të bindur që Komisioni Europian në raportin në fund të majit do të japë, do të konfirmojë progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat, do të sugjeroje çeljen e negociatave pa kushte. Por, gjithë kjo që po ndodh me opozitën dhe kontakti e saj nëpër kancelari duke vjell vrer dhe padyshim edhe pamjet e dhunës së opozitës që shfaqen përditë në ekran, patjetër që rrit rolin e euroskeptikëve që nuk duan të zgjerojnë më tej Bashkimit Europian”, theksoi ajo.
Qeverinë tranzitore të kërkuar nga opozita, Nikolla e cilësoi jolegjitime dhe i ftoi të përfaqësojnë elektoratin e tyre në qershor.

“Flitet për një qeveri tranzitore, një qeveri e ligjëruar së fundmi, një qeveri e votuar nga askush, një qeveri jashtë kufijve kushtetues dhe ligjorë, sepse çdo një qeveri përcaktohet nga vota e lirë e popullit dhe nuk përcaktohet nga një tryezë aq më pak e pakicës. Do të përsëris atë që në fakt përfaqësues të Bashkimit Europian, që jo vetëm kemi një qeveri legjitime, i ftoj partitë e opozitës të përfaqësojnë elektoratin dhe të futen në zgjedhje vendore. Edhe nëse ato nuk futen në zgjedhje, patjetër që do të realizohen dhe do të jenë legjitime. Nuk mund të jetë një qeveri që të përcaktojë dhe detyrojë më forcë opozitën që të futet në zgjedhje, ashtu sikurse nuk mundet asnjë mazhorancë që me forcën e kartonit të shtyjë apo ndryshojë datën e zgjedhjeve jashtë kufijve të përcaktuar. Unë po përsëris atë që ligji e thotë, Kushtetuta e thotë, edhe partnerët tanë si amerikanë, ashtu edhe europianë të thonë, ftesë opozitës për të hyrë në zgjedhje, për të bërë rolin e tyre që ligji dhe Kushtetuta u përcakton, por edhe faktin që duhet të përfaqësojnë elektoratin e tyre”, përfundoi Nikolla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat