Çuçi: Përmirësim gjurmimit të produkteve ushqimore

Shqipëria

Çuçi: Përmirësim gjurmimit të produkteve ushqimore

Më: 7 maj 2019 Në ora: 23:05
Bledi Çuçi

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi tha se sistemi i gjurmimit të produkteve ushqimore ka nevojë të përmirësohet. Në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, ministri Çuçi tha se ekziston protokolli për të gjurmuar produktet, por ai duhet forcuar.

“Problemi është se çdo fermër ka detyrimin të ketë një libër ku të tregojë se si është rritur një produkt. Pikat e grumbullimit duhet ta ketë këtë të dhënë. Këtë gjë dua ta bëjmë me ndihmën e teknologjisë, që me një bar code në supermarket të bësh gjurmueshmërinë e produktit”- tha Çuçi.

Duke folur për sigurinë ushqimore, Çuçi tha se vendet e BE nuk importojnë midhje të Butrintit, pasi ato dyshohen të kenë ngarkesë të lartë mikrobiologjike. Sipas tij, nga analizat e BE-së ka rezultuar se mjedisi ku ato rriten ka ngarkesë mikrobiologjike jashtë parametrave. Për këtë arsye ministri Çuçi thotë se po shihen mundësitë për ndërhyrje.

“Po shoh mundësinë e një koncepti të ri të menaxhimit të gjithë liqenit. Nuk ka patur një kontroll të fortë, që impiantet të jenë në standardet e kërkuara. Prandaj po mendojmë të ndryshojmë mënyrën e menaxhimit”, – tha ministri i Bujqësisë.

Çuçi tha se beson se forcimi i Kodit Penal do të japë rezultate në rritjen e sigurisë ushqimore, ndonëse shton se rastet e trumbetuara për përdorim në nivele të larta të pesticideve, janë sporadike.

“Me vjen keq që sulmi bëhet ndaj produktit shqiptar, gjithmonë në të njëjtën kohë të vitit. është detyra jonë të mbrojmë fermerin, që e ka çuar në 300 mije ton eksportin e produktit bujqësor shqiptar. Ato vende që importojnë nga Shqipëria nuk të falin në lidhje me sigurinë e konsumatorit të tyre. Ata sjellin dhe agjentë këtu dhe bëjnë analiza me mostra të marra në mënyrë rastësore”- tha ministri Çuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat