Dita e Talasemisë, Meta, të rinjve: Përfshihuni në kauzën humane të dhurimit të gjakut

Shqipëria

Dita e Talasemisë, Meta, të rinjve: Përfshihuni në kauzën humane të dhurimit të gjakut

Më: 8 maj 2019 Në ora: 12:41
Ilir Meta

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Gjatë kësaj seance ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, Meta vuri në dukje se “Ky dhurim merr një simbolikë të madhe, sepse ndodh më 8 maj, që është Dita Ndërkombëtare e Talasemisë dhe gjaku, që ju dhuroni sot, do të shkojë në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve talasemikë, që kanë aq shumë nevojë për të”.

“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Qytetin Studenti, me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut dhe 20-vjetorit të Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë.E rëndësishme është të angazhohemi si shoqëri dhe të inkurajojmë sa më shumë të rinjtë e të rejat të përfshihen në kauzën e dhurimit të gjakut.

Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim dhe do kërkojmë kontributin dhe angazhimin e kujtdo. Natyrisht i japim dhe prioritet dhe dhuruesve të rregullt, që në mënyrë të vazhdueshme ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë përmes dhurimit vullnetar, siç kanë bërë të gjithë vendet e tjera të zhvilluara”, vuri në dukje Presidenti i Republikës.

Më tej ai shtoi se, “Besoj se gjatë këtij viti kemi bërë shumë seanca dhurimi në të gjithë vendin. Do të vazhdojmë akoma më tej. E rëndësishme është të angazhojmë sa më shumë të rinj sepse edhe cilësia e gjakut është shumë e rëndësishme.

Thelbësore në këtë proces është edhe parandalimi i sëmundjes së talasemisë, që mund dhe duhet të minimizohet nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi efikase”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat