Zgjedhjet lokale, Rama: Kandidatë koalicioni për 61 bashkitë e vendit

Shqipëria

Zgjedhjet lokale, Rama: Kandidatë koalicioni për 61 bashkitë e vendit

Më: 8 maj 2019 Në ora: 22:12
Partia Socialiste

Të shtunën, Partia Socialiste do të konsolidojë kandidatët e koalicionit për 61 bashkitë për zgjedhjet e 30 qershorit. Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Kryeministri Edi Rama theksoi se në demokraci hyhet për të fituar dhe me besimin që i jep zgjedhjes alternativën më të mirë.

“Nuk udhëhiqesh nga frika e atij që ke përballë, po udhëhiqesh nga përgjegjësia për të dhënë maksimumin, dhe ku sigurisht janë qytetarët që vlerësojnë dhe fiton më i miri”, – tha ai.

I pyetur për partitë e tjera që do marrin pjesë në zgjedhje, Rama tha se Partia Socialiste nuk bën regjistrime subjektesh të tjera në zgjedhje. Këtë çështje, theksoi ai, e trajton qartësisht ligji zgjedhor dhe mbi bazën e këtij ligji funksionon një administratë zgjedhore, që në krye ka Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Viti 2017 është tanimë histori ku kemi bërë një përpjekje të jashtëzakonshme, të njëanshme të udhëhequr nga unë në atë rast duke pasur dhe përgjegjësinë më të madhe kam bërë edhe sasinë më të madhe të lutjeve për opozitën dhe kryetarin e saj. Sot jemi në kushtet kur kemi vetëm një përgjegjësi, t’u japim qytetarëve shqiptarë kandidatët më të mirë jo thjesht për të fituar zgjedhjet por për të drejtuar me sukses 4 vitet e ardhshme bashkitë e vendit”, – theksoi Kryeministri Rama.

Ai shprehu keqardhjen që opozita e Partisë Demokratike dhe e simotrës së saj të vogël LSI, ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. “Uroj që të jetë një rrugë me kthim dhe nuk kam ndërmend të bëj asnjë përpjekje që ata të kthehen nga ajo rrugë. Në një sistem demokratik askush nuk është i detyruar të marrë pjesë me zor në një proces zgjedhor dhe në momentin kur nuk ndjen detyrim ndaj atyre që përfaqëson ka marrë fund, pasi nuk ka një detyrim më të madh se ai dhe nuk ka një detyrim ligjor për të marr pjesë me zor në zgjedhje. Gjithashtu nuk ka asgjë që e detyron palën tjetër, në këtë rast shumicën qeverisëse, që të tërheqë me zor në procesin zgjedhor ata që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje”, – tha Kryeministri Rama.

“Zgjedhjet demokratike në një vend nuk i bën pjesëmarrja ose mos pjesëmarrja e një apo më shumë partive por i bëjnë standardet dhe për sa kohë standardet janë të garantuara këtu nuk kemi të bëjmë më një cenim të sistemit demokratik. Këtu kemi të bëjmë me një vendimmarrje politike legjitime të një force politike që në një moment të caktuar vendos të vrasë veten politikisht”, – tha Rama.

“Brukseli, Berlini etj., kanë thënë që kjo është një çështje e politikës së brendshme dhe kjo i takon palëve. Palët kanë marrë vendimet e tyre, procesi është ky dhe ka ardhur koha që t’i besojmë sistemit që kemi zgjedhur dhe të mos kërkojmë më zgjidhje për një krizë të krijuar artificialisht që pastaj të ketë një tryezë, sepse mesa duket më shumë sesa na ka rritur dhe fuqizuar demokratikisht, kjo nuk na ka lënë të rritemi aq shpejt sa duhet dhe të jemi aq të fortë në pozicionin tonë demokratik”, – përfundoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat