Basha, në Gjirokastër: Të gjithë bashkë më 11 maj për Shqipërinë si Europa

Shqipëria

Basha, në Gjirokastër: Të gjithë bashkë më 11 maj për Shqipërinë si Europa

Më: 9 maj 2019 Në ora: 17:02
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur me ovacione e duartrokitje, si dhe nën thirrjet “Rama ik” në takimin e pasdites së kësaj të enjteje në qytetin e Gjirokastrës, ku ishin mbledhur kryetarë dhe anëtarë të degëve të kësaj partie në qarkun jugor.

“Ju falënderoj për këtë pritje kaq madhështore, nga shumë të rinj e të reja me në duar simbolet e Partisë Demokratike, flamujt e Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe NATO-s. Sot është 9 maji, dita e Europës, e nga Gjirokastra, kjo energji frymëzuese për kauzën tonë të drejtë e të madhe i thotë çdo shqiptari e shqiptareje, pavarësisht bindjeve, moshës, krahinës, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë, si gjithë Europa”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, me këtë thirrje nisi lëvizja studentore e Dhjetorit të ’90-s, me këtë u themelua e Partisë Demokratike dhe me këtë vijohet ende të luftohet sot për të shijuar pakëz Europë, në një rrugëtim plot sakrifica.

Pikërisht për shkak të masivitetit të mbledhjes së Gjirokastrës, Basha iu bëri thirrje të pranishmëve, por edhe të gjithë shqiptarëve, që të bashkohen të gjithë në protestën e 11 majit në Tiranë.

“I duam shqiptarët me mirëqenie, ekonomi dhe të ardhme pikërisht këtu në Shqipëri. Të mos ikim më klandestinë, por ta ndërtojmë Europën këtu te ne”, tha Basha, duke këmbëngulur se gjithçka nis nga vota e lirë.

Në fjalën hapëse, Tritan Shehu tha se Basha vinte në Gjirokastër për të folur me të gjithë dhe për gjithçka, pasi situata e vendit është e rëndë dhe sipas tij, vetëm Basha e Partia Demokratike mund të zgjidhin shumë prej problemeve, përmes nismave të vështira por shumë të domosdoshme të ndërmarra nga kjo forcë politike opozitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat