Grida Duma: PD i duhet më tepër qartësi për alternativën e ekipin

Shqipëria

Grida Duma: PD i duhet më tepër qartësi për alternativën e ekipin

Më: 10 maj 2019 Në ora: 19:42
Grida Duma

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Grida Duma, ka deklaruar ditën e sotme se largimi i kryeministrit Rama do të shpëtonte institucionet.

E ftuar në emisionin “Top Talk”, Duma u shpreh se ata nuk po zgjedhin kryetarin e Partisë Socialiste, por se i kanë vënë kusht Ramës që të lëvizë si kryeministër.

“Beteja jonë do të zgjasë dhe demokratët qëndrestar e dinë këtë shumë mirë dhe janë të përgatitur që ta çojnë deri në fund. Ne nuk jemi duke zgjedhur kryetarin e Partisë Socialiste, por ne i kemi vënë kushte kryeministrit, i cili është i detyruar që për të shpëtuar institucionet duhet të lëvizë si kryeministër. Ndërtimi i institucioneve varet nga lëvizja e Ramës”, deklaroi Duma.

Më tej, Duma theksoi se është e domosdoshme sipas saj, që opozita duhet të qartësojë aksionin  e saj, duke theksuar se forumet e larta të partisë duhet të angazhohen në vendimarrje më shumë për të maksimizuar forcën opozitare.

“Ne nuk do të shkojmë pas Ramës. Padiskutim që simbolika më e rëndësishme e shqiptarëve është Tirana, bulveardi. Kjo është një betetjë për të fituar një sistem tjetër. Duhet theksuar që duhet një qartësi më e madhe në vijimin e këtij aksioni. Duhet qartësi e plotë me forumet e larta të partisë të cilat duhet të angazhohen në vendimmarrje më shumë për të maksimizuar forcën opozitare.

Vetëm qartësia e strategjisë dhe delegimi i përgjegjësive në forume jo thjeshtë ne pjesëmarrje protestash do të kompaktësoje qëndresën e opozitës në këtë betejë të vështirë. Domosdoshmëri paralele është qartësia e ekipit. Nëse PD ka anëtarësime të reja do të thotë që është e përgatitur të mbështesë platformën e zhvillimit. Nëse kërkojmë të rregullojmë sistemin politik duhet të jemi paralel në ofertë duke sistemuar përgjegjësitë e ekipit dhe ofertës sonë”, u shpreh Duma.

E pyetur se pse nuk bëhet një ballafaqim me kryeministrin, Duma u përgjigj: Kryeministri ka menduar që është vetëm ai në show-n e përgjithshëm, e ka bërë televizionin privat, kamerën private.

Ndërsa, se si mund të shmanget një përplasje sociale mes popullit opozitar dhe atij që përkrah qeverinë, Duma theksoi se opozita po mundohet që të mbajë ekuilibrin “e brishtë” mes protestës së madhe dhe përgjegjësisë që ka opozita që vendi të mos dëmtohet.

“Unë ju siguroj që ajo që po bëjmë është të mbajmë një ekuilibër mes protestës së madhe dhe faktit që jemi përgjegjës që ky vend të mos dëmtohet. Është një ekuilibër i vështirë, por besoj se dhe me kosto të brendshme ne e kemi mbajtur revoltën popullore që të mos e shfaqë forcën”, theksoi Duma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat