Familja zapton mjediset e shkollës, Fiks Fare zgjidh problemin

Shqipëria

Familja zapton mjediset e shkollës, Fiks Fare zgjidh problemin

Më: 10 maj 2019 Në ora: 22:33
Shkolla profesionale “Demor Progri” në Korçë

Prej gati 15 vitesh një familje ka zaptuar ambientet ku nxënësit e shkollës profesionale “Demor Progri” në Korçë bënin praktikën. Ambienti i zënë nga një familje rome pjesë e një repartin nën zotërim të shkollës profesionale ishte destinuar për banjo.

Kryerja e praktikës mësimore për nxënësit që mësojnë në këtë shkollë është e vështirë për shkak të mungesës së tualeteve dhe ndarjes së ambienteve me këtë familje.

Pavarësisht se drejtuesit e kësaj shkolle i kanë dërguar prej gati një dekade shkresa zyrtare bashkisë apo instancave të tjera për të marrë masa ende asgjë nuk është bërë dhe familja vazhdon të jetojë në këto ambiente, që dikur funksiononin si ambiente për nxënësit, e sot janë kthyer në ambiente banimi.

Fiksi udhëtoi drejt kësaj shkolle për të parë nga afër problemin dhe pa se familja rome kishte zaptuar fundin e kapanonit. Drejtori i kësaj shkolle Paskal Caca shprehet për Fiksin se nga ana e tyre janë bërë disa herë përpjekje për të liruar ambientet e zëna dhe nxënësit të kryejnë orët e mësimit ( praktikën), por as Bashkia Korçë dhe as policia nuk kanë mundur.

Fiksi iu drejtua Bashkisë Korçë nëse ka ndonjë zgjidhje për strehimin e familjes rome , e në këtë mënyrë të bëhej i mundur edhe lirimi i ambienteve të zëna. Specialisti për administrimin e nevojave dhe strehimit pranë kësaj bashkinë z. Arsel Golemi shprehet se janë të gatshëm për ta ndihmuar familjen. “Ata duhet të gjejnë një shtëpi me qira të cilën do ia paguaj bashkia, por që familjarët duhet të vijnë të aplikojnë në bashki” përfundon z. Golemi.

Edhe prefekti i Korçës z. Dhori Spirollari shprehu gatishmërinë e tij që ambientet e shkollës profesionale të lirohen dhe mësimi të zhvillohet normalisht. Për këtë ai pohoi se do të përdorte çdo rrugë ligjore dhe duke u premtuar gazetarëve të Fiks Fare se situata do të marr rrugëzgjidhje shumë shpejt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat