Kryetari i partisë së pensionistëve merr mandatin e PD në Tiranë

Shqipëria

Kryetari i partisë së pensionistëve merr mandatin e PD në Tiranë

Më: 12 maj 2019 Në ora: 13:01
Selami Jenishehri

Opozita  është braktisur nga një tjetër aleat i zgjedhjeve të 2017-ës. Tashmë është Kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenishehri, i cili ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Jenishehri, ishte në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, me numrin 46 dhe tani i ka ardhur ftesa që të jetë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë dhe do të zëvendësojë Fatmir Mediun. Sipas tij, demokratet u tradhtuan nga kreu Lulzim Basha.

“Zoti Lulzim Basha, në zgjedhjet e 2017 e tradhtoi koalicionin tonë. Do t’iu dal zot atyre njerëzve që s’kanë lekë të blejnë ilaçet, që s’kanë lekë të bëjnë dhëmbët”, tha ai.

Jenishehri rezulton të jetë i dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Shkodër për veprën penale të mashtrimit, por ai e hedh poshtë duke pretenduar së është shpallur i pafajshëm dhe gjithçka është trillim i gjykatave.

Ata për të mbushur xhepat me parë, marrin çdolloj vendimi. Unë kam shkuar tek Gjykata e Apelit dhe iu kam thënë që të më tregojnë se ku është ajo pronë, ndërtesë që kam vjedhur unë. Nuk ekziston. Ku është ai dokument që thotë se unë jam pronar aty?Nuk ekziston. Kam marrë pafajësinë”, argumenton zoti Jenishehri.

Me dorëzimin e formularit, Selami Jenishehrit, mësuesit të  matematikes dhe fizikes I dalë në pension,  i lind e drejta që të marrë mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës pavarësisht se ai jeton në Shkodër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat