Policia finalizon dy operacione në Vlorë e Sarandë

Shqipëria

Policia finalizon dy operacione në Vlorë e Sarandë

Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:30
Policia e shtetit

Gjatë ditës së sotme Polica e Shtetit ka finalizuar me sukses dy operacione policore antidrogë të koduara “Shëndëllia” dhe “Kota” ku janë sekuestruar në total 98 kilogramë lëndë narkotike cannabis sattiva si dhe janë arrestuar në flagrancë 3 persona.

Në Sarandë, u finalizua operacioni antidrogë “Shëndëllia”. Në kuadër të luftës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione në rrugë operative se dy shtetas dispononin lëndë narkotike në banesë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor antidrogë të koduar “Shëndëllia”.

Gjatë operacionit në fshatin Shëndëlli, Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas (babë e birë) K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre Policia gjeti dhe sekuestroi 83 kilogramë lënde narkotike, si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara cannabis sativa. –

Gjithashtu edhe në qytetin e  Vlorës, u finalizua operacioni antidrogë i koduar “Kota” Në kuadër të këtij operacioni Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti tip “Mercedes Benz” në aksin rrugorë “Lapardha-Kotë”, Vlorë, ku nga kontrolli i ushtruar në të u gjet një sasi lënde narkotike me peshë totale 15 kilogramë e dyshuar e llojit cannabis sattiva. Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin G.H., 31 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” Materialet proceduriale i kaluan Prokurorive respektive Sarandë e Vlorë për veprime të mëtejshme. ./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat