“Ndalohet të mos prekësh”, fëmijët që nuk shikojnë pjesë e jetës kulturore

Shqipëria

“Ndalohet të mos prekësh”, fëmijët që nuk shikojnë pjesë e jetës kulturore

Më: 13 maj 2019 Në ora: 17:05
Pamje nga vendi i ngjarjes

“Ndalohet të mos prekësh” është një bashkëpunim midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, me qëllimin e promovimit të të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shikim, të integrimit në shoqëri të tyre, si dhe të mbështesë personat me aftësi të kufizuara për të pasur akses në të gjitha sferat e jetës, si në qendrat kulturore ashtu dhe në qendra të tjera publike.

Veprimtaria “Ndalohet të mos prekësh” konsiston në vizitat e planifikuara nëpër pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar nga ana e nxënësve më aftësi të kufizuar në shikim. Nxënësit e Institutit “Ramazan Kabashi”, të pajisur me doreza të dhënë nga punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar, mundën të prekin objektet e paracaktuara, objekte origjinale të ekspozuara nëpër pavijonet e muzeut.

Prekja e këtyre objekteve u realizua me ndihmën e punonjësit të muzeut, i cili i udhëhoqi fëmijët përgjatë pavijoneve dhe gjatë prekjes së objekteve duke u dhënë përshkrimin dhe historikun përkatës për çdo objekt. Objektet e paracaktuara për t’u prekur ishin të siguruara, fiksuara, në lartësinë e duhur dhe të sigurta për dëmtime të mundshme.

Muzetë ekzistojnë për njerëzit. Ata njerëz përfshijnë njerëzit me aftësi të kufizuara, familjet dhe miqtë e tyre. Muzeu Historik Kombëtar është mikpritës, i ngrohtë e gjithpërfshirës, i arritshëm dhe pozitiv për njerëzit me aftësi të kufizuara, për ta vizituar dhe për të punuar në të.

Tanimë, muzetë bashkëkohore janë kthyer në konceptin e prekjes dhe kanë filluar të shqyrtojnë të gjitha ekspozitat e tyre bazuar tek fakti i të prekurit. Fëmijët me aftësi të kufizuar në shikim arritën të përjetojnë botën me anë të duarve të tyre. Në të njëjtën kohë, aftësia për të prekur dhe për të ndjerë objektet origjinale të caktuara, është një mënyrë e re për të dhënë qytetërimin e lashtë shqiptar. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat