Një histori me tank, topa e gjeneral

Shqipëria

Një histori me tank, topa e gjeneral

Nga: Rexhep Shahu Më: 13 maj 2019 Në ora: 16:57
Rexhep Shahu

Me 31 janar 1998, pasdite vonë erdhi në Kukës ekipi i Rojterit, Benet Koleka, Beni fotografi dhe Leoni, kameramani. I prita si gjithmonë, ishin grupi mediatik që mendonte e vepronte më shqip gjatë kohës së krizës e luftës për Kosovën. Qëllimi i ardhjes së tyre nga Tirana në Kukës ishte që të bënin diçka, kronikë a telereportazh, për t’i thënë opinionit publik botëror se Shqipëria ka ushtri dhe nuk duhej lejuar kurrësesi që të mbërrinte puna të përdorej ushtria e Shqipërisë në konfliktin shqiptaro-serb. Pra duhej thënë në lajme botërore se Shqipëria ende ka ushtri edhe pas rrënimit të saj në vitin e mbrapshtë 1997. Në fakt kjo ishte rrenë, nuk kishim ushtri, kishim patur. Por ne do të thonim se ka ushtri dhe të fortë. Kisha biseduar ndërkohë me gjeneral Kudusi Lamen dhe ai ishte dakort “ta kallzonim” ushtrinë që ta shihnin serbët. Do t’u thonim serbëve përmes kamëres së Rojterit se Shqipëria është gati për luftë, se Shqipëria është ende fuqi baruti dhe grykat tona të zjarrit mbrojtë tokën e qiellin tonë…

Në mëngjesit e 1 shkurtit 1998 mbërrijmë në Divizion ku na priste gjenerali. Fillimisht hyra unë ngaqë isha si i shtëpisë. E gjej gjeneralin në zyrë të sëmurë. Më erdhi keq dhe u tremba. E njihja vetëm energjik dhe nuk kisha menduar ndonjëherë se mund të sëmuret ky njeri. Do të kishte ndonjë helmim pasi villte. U mundova të bëja ndonjë shaka por nuk rridhte shakaja. I them se çfarë duan këta të Rojterit. Si mendon ti, më pyet gjenerali. Të filmojmë tanke, topa, makina, ushtarë, armë… marr zjarr unë, ta dridhim Serbinë…. Rri qaty o Rexhep pash zotin, ma pret gjenerali. Ku janë tanket e topat… Po këtu në oborr, te dera jote është një tank, i hem unë sikur ai nuk e dinte. Po është vetem një mor djalë dhe nuk e dimë a ndez apo jo… Jep urdhër ti gjeneral se ndizet. Pastaj mos ki merak se gazetari është mik i imi, s’ka ardhë me gjetë keq por ka ardhë me gjetë mirë, me folë mirë… Vetëm kur të flasësh tunde gjeneral… A po më sheh si jam a je qorrue. Nuk mundem me folë sot… Pa e zgjatë shumë, gjenerali dha urdhër të ndizej tanku i vetëm që ishte aty në oborr të zyrave të divizionit të Kukësit. Dhe ashtu u bë. Teksa ne pritëm ca kohë, tanku u ndez më në fund. Filloi të rrotullohej në vend, të lëvizte dhe fotografi e kameramani bënin punën e tyre. Ushtria e Shqipërisë po shkundte blozën e armëve të saj, po kolliteshin grykat e saj të zjarrit. Pas shfaqjes me tank, gazetarët donin të shihnin topa, gryka zjarri të artilerisë së rëndë. Ata ishin në Bicaj, pak kilometra përtej Divizionit të Kukësit. Doja me çdo kusht të vinte gjenerali me ne. Por nuk mundej, e shihja se nuk po mundej.

Ngjitesha e zbrisja nga zyra e gjeneralit. I mbeti merak që nuk qe në gjendje të vinte me ne, por dha urdhër që të na rrinin në dispozicion në Bicaj ku ishin disa topa me gryka të gjata. Shkuam në Bicaj te topat grykëgjatë, anash udhës që të çon në Gabrricë, në të majtë. Disa gryka topi ishin ngulë ne tokë, disa ishin pothuaj pingul përpjetë, disa shihnin nga Prizreni, disa nga Dibra, disa nga mali i Gjallicës. Dukej repart i shpartalluar, i vjedhur disa muaj më parë, i shkatërruar me inat sikur të ishin topa të ndonjë ushtrie armike kur në fakt ishin topa të ushtrisë së Shqipërisë që do të mbronin, ose më saktë do të villnin zjarr nëse do të sulmohej vendi ynë nga Serbia. Ishin ndoshta 20 topa, nuk i numërova për ti mbajtë mend. Ajo pamje më dha një trishtim të thellë dhe ndoshta, për herë të parë pas ngjarjeve të marsit 1997, urreva duart e mendjet e shkatërimit të këtyre topave. Ushtarët e paktë që ishin aty mundoheshin ti ngrinin grykat e topave, por ua kishin vjedhë mekanizmat. Se kujt i hynin në punë mekanizmat që levizin grykat e topave, shënjestrat e tyre, një zot i zi e di. Oficeri që ishte si shef aty, që kishte marrë urdhërin të ishte në dispozicionin tonë, i shkurtë, trupimtë, herë skuqej e herë zverdhej. E përjetonte keq gjendjen e këtyre grykave zjarri. Por ishte edhe nën presion prej pranisë së gazetarëve të Rojterit.

Unë u thoja pothuaj secilit se këta gazetarë kanë ardhë me e paraqitë gjendjen të mirë, nuk kanë ardhë në këtë rast me gjetë keq. Oficeri më specialist i artilerisë së Divizionit të Kukësit, Nazmi Cahani, që e njihja, që shërbente në këtë repart nuk ndodhej aty atë çast. Oficeri trupvogël filloi të tregonte se çfarë janë këto gryka zjarri, deri ku e kanë aftësinë të godasin për ta siguruar mbrojtjen e vendit tonë në rast sulmi. Fliste më pasion. Frymëzonte. Mu kujtua se këtij oficeri i pati thënë kryeministri Majko “pse je i parruar” kur ai erdhi me Ambasadoren amerikane Mariza Lino në Meteor dhe na takoi të gjithëve që ishim në rrjesht ku kishim dalë për ta pritë te helikopteri. Qeshë përgjigjë unë me pëshpëritje me zë “jemi në luftë e s’kemi kohë të rruhemi zoti Kryeministër”. Nuk kujtoj hollësira të tjera pasi unë atë ditë isha përgatitë dhe gjithë kohën mendoja se do të udhëtoja me gazetarët e Rojterit për në Tiranë… Dhe ashtu ndodhi. Pasi u bë ky telereportazh nga Rojteri, udhëtova pasdite me makinën e tyre për në Tiranë. Atë natë fjeta tek Izeti. Të nesërmen në mëngjes bashkë me Izetin shkuam në spital te doktor Ajli Alushani dhe u shtrova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat