Përfundon protesta e opozitës, Basha: As Evropa nuk e ka parë këtë qëndresë

Shqipëria

Përfundon protesta e opozitës, Basha: As Evropa nuk e ka parë këtë qëndresë

Më: 13 maj 2019 Në ora: 18:55
Lulzim Basha

(E plotësuar) - Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në fjalimin përmbyllës të marshimit-protestë të opozitës, se “Shqipëria dhe Evropa nuk e ka parë ndonjëherë këtë qëndresë dhe vendosmëri”.

“Mbi tre orë litarët e shiut lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga Zoti lart në qiell, me bindjen se Shqipëria nuk do kthehet më kurrë ndaj krimit ndaj korrupsionit. Mirënjohje për ju, qindra mijëra gra dhe burra të këtij marshimi në formë proteste. Mirënjohje e veçantë për të gjithë agjëruesit e Ramazanit. Mirënjohje për ata që janë bashkuar, Vlora, Kukësi, Dibra, Korça, Hasi, Mati, Erseka, Elbasani, Lushnja, Fieri, Berati, nga të gjithë qytetet dhe fshatrat”, tha Basha.

“Sot treguam se nuk ka forcë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lirsh dhe të ndershme. Le të jetë e sotmja mesazhi i vendosmërisë absolute më të cilën do të fitojmë këtë betejë, për liri, demokraci si gjithë Evropa. Forca jonë është pjesmarrja është vendosmëria. Dhe kësaj force nuk i bën dot ballë Edi Rama, ndaj ne vazhdojmë rrugën që kemi nisur”, shtoi Basha.

Protesta LIVE/ Xhama të thyer e tymuese- Pas 30 minutash, protestuesit e opozitës largohen nga Drejtoria e Policisë së Tiranës

Pas rreth 30 minutash tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, protestuesit e opozitës po marshojnë drejt selisë së Partisë Demokratike, ku edhe pritet të mbahet një fjalë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Ora 20:56 – Situata përpara Drejtorisë së Policisë është më e acaruar, ndërsa protestuesit e opozitës vazhdojnë të hedhin flakadanë tek hyrja kryesore.

Forcat e rendit nuk reagojnë as në këtë pikë marshimi, ashtu sikurse ndodhi edhe në pikat e tjera tek Kryeministria, Parlamenti, Ministria e Brendshme apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Image

Drejtoria e Policisë së Tiranës është destinacioni i fundit i marshimit të sotëm, i cili parashikohej të mbyllej rreth orës 20:30 minuta.

Pak metra më tej janë qelitë e paraburgimit të rreth 50 personave të arrestuar për veprime të dhunshme ndaj policisë në protestën e së shtunës.

Ata pritet të dalin nesër përpara gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë.

Ora 20:38 -Ndërkohë që reshjet e shiut vazhdojnë, protestuesit me çadra të shumta “Rama ik”, janë zhvendosur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Protestuesit kanë thyer disa xhama të ndërtesës së policisë së kryeqytetit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka bërë thirrje të ndalohet thyerja e xhamave.

Pas 10 minuta qëndrim tek Ministria e Brendshme, protestuesit u zhvendosën tek drejtoria e policisë së kryeqytetit, ku ndodhen të ndaluar disa protestues të opozitës pas protestës së të shtunës së shkuar.

Ky është destinacioni përfundimtar i marshimit të sotëm të protestuesve opozitarë.

Image

Ora 20:28 – Pas mbërritjes tek Ministria e Brendshme, protestuesit e opozitës kanë hedhur kapsolla të shumtë dhe flakadanë përpara zyrave të ministrit Sandër Lleshaj. Protestuesit kanë rrëzuar gardhin metalik, ndërsa policia nuk ka reaguar ndryshe nga e protesta e së shtunës.

Protestuesit kanë ardhur në të dyja anët e Ministrisë. Atje ndodhet edhe kryetari i PD-së, Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ministri i Brendshëm Lleshaj nuk ndodhet në zyrën e tij.

Ora 20:20 – Pas qëndrimit për disa minuta përpara ndërtesës së Parlamentit, protestuesit e opozitës janë nisur drejt Ministrisë së Brendshme.

Tek Parlamentit përveç hedhjes së kapsollave, nuk pati konfrontime midis protestuesve dhe policisë.

Me thirrjet “Rama ik”, mbështetës së shumtë të opozitës po vazhdojnë marshimin edhe pse në kushte të pafavorshme moti.

Ora 20:08 Pas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, protestuesit e opozitës janë drejtuar përpara ndërtesës së Parlamentit.

Tek Parlamenti, protestuesit kanë hedhur kapsolla, duke shkaktuar zhurmë dhe tym, ndërsa kanë çarë gardhin rrethues metalik.

Protesta LIVE/ Protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë

Protestuesit e opozitës kanë nisur marshimin në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i kërkoi militantëve që të ndjekin liderin e opozitës, Lulzim Basha.

“Të gjithë drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pastaj do marshojmë tek Parlamenti i krimit, do marshojmë drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Tiranës”, tha Paloka.

Basha u bashkohet protestuesve para Kryeministrisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestuesve të opozitës të mbledhur përpara ndërtesës së Kryeministrisë.

Basha, ka bërë thirrje për largimin e qeverisë aktuale, pasi ajo sipas tij përmes krimit të organizuar po e shkatërron vendin.

Në fjalimin e tij para masës së mbledhur në protestën e opozitës që po mbahet në Tiranë, kreu demokrat tha se Rama ofron dhunën si mjetin e vetëm për zgjidhje.

“Ky është parlament jo legjitim, kjo është qeveri jo legjitime”, tha Basha.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për dhunën në protestën e së shtunës ndaj protestuesve, duke thënë se vetëm dhuna zgjedhore është ajo që mban Qeverinë Rama në pushtet.

“Ne jemi në betejë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, ne jemi për Kushtetutë dhe për të drejtën e qytetarëve”, u shpreh kreu demokrat

Nis protesta e opozitës. Marshim në institucionet e rëndësishme

Mbështetësit e opozitës kanë nisur të grumbullohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Megjithëse në reshje të vazhdueshme shiu, qindra mijëra protestues janë grumbulluar në sheshin përpara Kryeministrisë.

Itinerari i marshimit të protestës së sotme të thirrur nga opozita është: Sheshi Skënderbej, Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Tiranë.

Sipas opozitës, simbolika e këtij marshimi-protestë janë institucionet e kapura nga krimi (Parlamenti dhe Qeveria), si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre.

Nis protesta e opozitës "Rama ik"

Pa u fshirë gjurmët e bojës dhe të zjarrit nga godina e kryeministrisë, opozita ka thirrur në një tjetër protestë mbështetësit e saj.

Policia ka vendosur gardhin metalik mbrojtës për tubimin dhe në planin e ruajtjes së rendit janë angazhuar 1700 efektivë policie. Këtë herë policia ka rrethuar edhe KQZ nga ndonjë tentative e protestuesve për të sulmuar këtë institucion.

Mbështetësit e PD-se nga rrethet po vijnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës para Kryeministrisë në orën 18:30 të pasdites së sotme. Gazetarët e RTV Ora informojnë se autobusë apo makina private me mbështetës janë nisur nga Shkodra, Berati, por dhe Lezha.

Vendimi për mbajtjen e të pestës protestë kombëtare radhazi erdhi pas një mbledhje urgjente të mbajtur nga strukturat drejtuese të PD-së dhe aleatët mesnatën e të shtunës.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë i kanë ftuar qytetarët sot në një tjetër protestë kombëtare “për Shqipërinë si Evropa”, por ndryshe nga manifestimet e tjera antiqeveritare, ky i sotmi do të jetë një marshim proteste.

Qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme qe punon për mirëqenien e qytetarëve.

Në këtë protestë mungon Sekretari Organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e rënda të dhunës. Sait Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë, siç e kërkon ligji, ndërsa sonte do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli.

Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat