Cakaj jep informata për njohjen e patent shoferëve nga Gjermania

Shqipëria

Cakaj jep informata për njohjen e patent shoferëve nga Gjermania

Më: 14 maj 2019 Në ora: 22:45
Gent Cakaj

Ministri i Jashtmë shqiptar, Gent Cakaj ka dhënë informata për njohjen e patent shoferëve të shqiptarëve nga Gjermania.

Në një postim në Facebook, Cakaj ka shkruar se në kushtet kur marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit është në shqyrtim e sipër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ka dorëzuar kërkesën për mundësimin e kryerjes së provimit të patentës në gjuhën shqipe pranë Ministrit Federal të Transportit dhe Çështjeve Digjitale.

Cakaj ka bërë të ditur se aktualisht janë në pritje të përgjigjes nga pala gjermane.

Më poshtë postimi i Cakajt:

Një përgjigje e shkurtër publike për të gjithë shtetasit shqiptarë në Gjermani!

Duke pasur parasysh kërkesat e panumërta gjatë gjithë kësaj kohe lidhur me arritjen përfundimtare të Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Lejeve të Drejtimit të Shtetasve të Shqipërisë dhe Kosovës në Gjermani dhe anasjelltas, ju informoj se:

Në Mars 2018, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë Ministrisë Federale të Transportit dhe Çështjeve Digjitale. Kjo e fundit informoi se i gjithë dokumentacioni teknik duhet të shqyrtohet jo vetëm në nivel federal por edhe nga të 16-të landet e RFGJ. Pra, ky është një proces që tashmë është përtej forcave të Qeverisë së Shqipërisë.

Duke qenë se ky proces merr një kohë relativisht të konsiderueshme, gjatë vizitës sime në Berlin në Mars 2019, kemi propozuar edhe shqyrtimin e alternativave të përkohshme sikurse dhënia e provimit për marrjen e patentës në gjuhën shqipe (një praktikë që tashmë zbatohet në Suedi). Kjo është një praktikë që zbatohet në RFGJ edhe për disa prej gjuhëve të tjera të Ballkanit. Sidoqoftë, kjo praktikë nuk është zëvendësim për marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.

Në kushtet kur marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit është në shqyrtim e sipër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ka dorëzuar kërkesën për mundësimin e kryerjes së provimit të patentës në gjuhën shqipe pranë Ministrit Federal të Transportit dhe Çështjeve Digjitale. Aktualisht jemi në pritje të përgjigjes nga pala gjermane.

Duke qenë të përgjegjshëm ndaj shqetësimeve të shtetasve shqiptarë në Evropë lidhur me vështirësitë e ndryshme të njehësimit të lejeve të drejtimit, shumë shpejt do të procedojmë me kërkesa për marrëveshje të kësaj natyre edhe në shumë vende të tjera ..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat