Ambasadori austriak, apel politikës: Zgjidhni krizën para sezonit turistik

Shqipëria

Ambasadori austriak, apel politikës: Zgjidhni krizën para sezonit turistik

Më: 17 maj 2019 Në ora: 08:59
Johan Sattler

Ambasadori austriak, Johan Sattler, ka ripërsëritur thirrjen për klasën politike në Shqipëri për uljen në një tryezë për zgjidhjen e krizës politike.

Sipas diplomatit austriak, situata politike në Shqipëri duhet të marrë një zgjidhje përpara sezonit turistik, duke mos prodhuar efekte negative në raport me turizmin.

“Ka ardhur koha ku përfaqësuesit politikë të ulen në tavolinë për të gjetur kompromis dhe jo të krijojnë probleme. Uroj që protestat të mos ndikojnë në sezonin turistik të Shqipërisë. Drejtuesit politikë të gjejnë një kompromis para sezonit turistik”, tha diplomati austriak. Qëndrimet e tij, Sattler i bëri nga Dukati i Vlorës gjatë një aktiviteti të zhvilluar në prag të sezonit turistik.

Thirrjet e ndërkombëtarëve për dialog dhe uljen në negociata të palëve janë shtuar javët e fundit, ndërkohë që edhe Kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kanë konfirmuar se kanë nisur përpjekjet për dialog.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka konfirmuar gjithashtu vullnetin e opozitës për të qenë pjesë e çdo tryeze të iniciuar nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike, por ka theksuar se kushti për largimin e Edi Ramës si Kryeministër është i panegociueshëm.

Ndërkohë, Kryeministri Rama ka deklaruar se është i gatshëm të dialogojë, por pa pasur kushte nga pala dialoguese, ndërkohë që i ka qëndruar i prerë bindjes së në 30 qershor do të ketë zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat