Frontex nis operacionet e para në Shqipëri, ç’do ndodhë në pikat kufitare

Shqipëria

Frontex nis operacionet e para në Shqipëri, ç’do ndodhë në pikat kufitare

Më: 18 maj 2019 Në ora: 08:57
Ilustrim

Agjencia Europiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, do të nisë operacione të përbashkëta me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, për të parandaluar kryesisht krimin kufitar.

Më 21 maj 2019, Frontex, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, do të nisë operacionin e saj të parë të përbashkët në Shqipëri, duke shënuar një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së. Ceremonia zyrtare, e ndjekur nga një konferencë për shtyp, do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ditën e martë, në prani të komisionerit Dimitris Avramopoulos, drejtorit ekzekutiv të Frontex-it, Fabrice Leggeri, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Dje, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, inspektoi Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në prag të nisjes së zbatimit në terren të marrëveshjes me Frontex-in, për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Është hera e parë që BE nënshkruan një marrëveshje të tillë me një vend jo anëtar, pra e bëmë me Shqipërinë për herë të parë dhe synojmë që përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm të mund të forcojmë kapacitetet e kontrollit të kufirit, të frenojmë flukset migratore, të frenojmë trafikun dhe të rrisim bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me këtë agjenci shumë të specializuar të BE-së, prej së cilës mendojmë që do të përfitojmë shumë eksperiencë dhe shumë mbështetje teknike dhe materiale.

Shqipëria nuk ka kapacitete për të pritur flukse të mëdha dhe arsyeja e fillimit të këtij projekti të madh është edhe kjo, shtimi i kapaciteteve me qëllim që një numër i konsiderueshëm i oficerëve që do të vijnë nga vendet e BE-së do të kryejnë patrullim real bashkë me oficerët dhe punonjësit tanë të Policisë, me qëllim që ky fenomen të mbahet nën kontroll të plotë”, u shpreh dje Lleshaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat