Mijëra shtëpi të kyçura, njerëzit vazhdojnë ende të ikin

Shqipëria

Mijëra shtëpi të kyçura, njerëzit vazhdojnë ende të ikin

Më: 19 maj 2019 Në ora: 13:31
Lezhë

Braktisja e fshatrave po kthehet në një dramë të shoqërisë shqiptare. E tillë është situata edhe në fshatrat e Lezhës. Në këto banesa nuk shkel askush prej vitesh. Sot janë pothuajse të rrënuara. Pasi pronarët e tyre janë në emigracion.

Në 30 vitet e fundit nuk është bërë asnjë ndërtesë. Shtëpitë po rrënohen për shkak të braktisjes. Të vetmet që ndërtojnë në foletë e tyre janë dallëndyshet.

Këto zona kodrinore kanë shumëllojshmëri bimësh medicinale, burime ujore, këtu është edhe masivi i dytë pyjor me lisa, në rang republike.

Jemi në fshatin Kashnjet, 25 km larg Lezhës. Edhe pse këto zona kanë pasuri dhe resurse natyrore nuk kanë mundur t’i shpëtojnë shpopullimit dhe braktisjes.

Në njësinë administrative Ungrej, e cila është dhe njësia më e madhe sa i përket sipërfaqes në bashkinë e Lezhës me 170 km 2, bëjnë pjesë 9 fshatra. Ungrej, Kashnjet, Zimaj, Gjo Bardhaj, Rras i Butë, Fregën, Kalivaç dhe Sukaxhi. Në vitet `90 në këtë zonë kishte rreth 9 mijë banorë, ndërsa sot nuk ka mbetur as një e treta. Ulja e numrit të popullsisë vjen jo vetëm për shkak të reduktimit të lindjeve por edhe të emigracionit masiv.

Gjin Nikollaj, Punonjës i gjendjes civile: Kanë ikur të gjithë. Sidomos në 2 fshatra është më problem, në Kashnjet ka 3-4 familje, në Zimaj vetëm 2.  

Sipas punonjësit të gjendjes civile në këtë njësi, numri i vdekjeve është më i lartë se lindjet. Nëse dikur lindnin rreth 350 fëmijë gjatë një vitit, tani lindin mesatarisht 18 foshnja, ndërkohë që vdekjet janë jo më pak se 25 në vit.

Ata që kanë mbetur i përkasin moshës së tretë.

Shumë pak nga banorët që kanë ikur kthehen sërish për të punuar tokën. Me përjashtim të disa prej tyre që janë shpërngulur në qytetin e Lezhës.

Mungesa e infrastrukturës është arsyeja kryesore e braktisjes së këtyre zonave. Edhe pse Qeveria shqiptare ka vënë si prioritet turizmin dhe projektin e 100 fshatrave, në këtë njësi nuk është bërë asnjë investim prej vitesh.

Hemorragjia e largimit nga këto zona nuk ka të ndalur. Anton Lleshi, pas 20 vitesh në emigracion, vendosi që të kthehej në 2014 në fshatin e tij, të investonte dhe të jetonte sëbashku me bashkëshorten dhe  dy fëmijët e tij. Por sot, ai ka mbetur në udhëkryq, mundësia e vetme që ai sheh për të ardhmen e fëmijëve është të ikë sërish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat